Kryetari i PD Lulzim Basha dhe drejtuesit e PD, kanë zhvilluar homazhe në Memorialin e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari , por siç nuk ka ndodhur më parë mungoi e bija Rudina Hajdari dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Në mesazhin e tij lideri demokrat theksoi se sot kujtohet njeriu që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci.

Basha tha se vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit.

Reagimi i Bashës

Sot, si çdo 12 shtator, përkujtojmë liderin e Lëvizjes Studentore, njeriun që ndezi shpirtrat dhe vrau frikën e shqiptarëve anembanë vendit për liri dhe demokraci, të paharrueshmin Azem Hajdari dhe mikun e bashkëluftëtarin e tij, Besim Çera.

Vepra dhe sakrifica e Azem Hajdarit mbetet model frymëzimi për të mos iu nënshtruar dhunës së regjimit, për të luftuar me vendosmërinë e heroit të demokracisë dhe për të çuar deri në fund idealin e Shqipërisë si gjithë Europa.
Mirënjohja dhe krenaria për Azem Hajdarin na bashkon, sidomos kur fatet e demokracisë janë të pasigurta dhe perspektiva europiane e Shqipërisë kërcënohet nga regjimi i pakicës së korrupsionit dhe krimit.

Si demokratë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin më të mirë për tribunin e pavdekshëm, që sot e përgjithmonë na nxit të qëndrojmë dhe të luftojmë të bashkuar deri në triumfin e lirisë dhe demokracisë.

I paharruar kujtimi i tij!

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA