Presidenti Meta ka dekretuar emërimin e Edi Ramës si Kryeministër të Shqipërisë.
Zyra e presidencës ka ndarë dokumentin që mban datën e djeshme që tregon dekretin i cili ka hyrë në fuqi menjëherë.
Me mandatimin e kryeministrit nga Presidenti, i pari qeverisë së re i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij.
Paçka se është kryeministri që i dërgon për dekretim ministrat, fjalën e fundit e thotë kreu shteti, i cili duhet të shprehet brenda 7 ditëve.
Dekretet e miratuara nga Presidenti kalohen sërish nga kuvendi në një afat 10 ditë. Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat do të betohen para Presidentit.
Vendimi i plotë:
Në mbështetje të neneve 93 dhe 96, pika 1, të Kushtetutës, pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë të datës 25.04.2021, rezultati përfundimtar i të cilave është shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes Vendimit nr. 21, datë 13.07.2021, të Komisionit Rregullator, sot më datë 10.09.2021, në fillim të Legjislaturës së X-të, pas thirrjes dhe zhvillimit të mbledhjes së parë të Kuvendit të porsazgjedhur, sipas propozimit me nr. 216 prot., datë 2.9.2021, të Partisë Socialiste të Shqipërisë, parti kjo që rezulton se ka shumicën e vendeve në Kuvend,
D e k r e t o j:
Neni 1
Zoti Edi Rama, emërohet Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 13 210
Tiranë, më 10.09.2021
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META
Top Channel