Ditën e sotme nis legjislatura e X e Kuvendit të Shqipërisë.
Seanca do të drejtohet nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër në moshë në këtë legjislaturë të Kuvendit.
Përmes dy seancave, 1 paradite në orën 10:00 dhe tjetra pasdite në orën 17:00, pritet betimi i 140 ligjvënësve të rinj si dhe zgjedhja e kreut të ri të Kuvendit.
Menjëherë më pas 3 deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit.
Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.
Më pas një Komision i përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit, që përbëhet nga 9 deputetë shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit.
Pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
Ora 10:00 e ditës së sotme do të jetë momenti kur pas më shumë se dy vite bojkoti nga opozita, parlamenti do të kthehet në shinat e normalitetit.
Distancimi fizik do të aplikohet edhe në këtë legjislaturë duke ulur në sallën e mbledhje plenare një numër të barabartë deputetësh nga shumica dhe opozita. Pjesa tjetër do të akomodohet në llozha dhe pjesën dedikuar publikut dhe gazetarëve. Një komision do të vlerësojë ligjshmërinë e mandateve e më pas do të votohet kryetarja e re e propozuar nga shumica, Lindita Nikolla. Shumica qeverisëse e Edi Ramës pritet të përballet me një opozitë të fortë e cila nuk do ta kursejë retorikën e ashpër politike.
Megjithatë pasja e 74 mandateve plus 3 të partisë së Tom Doshit, e vendos Edi Ramën në pozita komode gjë e cila u reflektua edhe në porositë që ua la deputetëve të rinj disa ditë më parë për të respektuar kundërshtarin politik. Nuk do të jetë e lehtë për deputetët socialistë ta kenë përsëri përballë Sali Berishën.
Kjo seancë e parë e Kuvendit pritet të jetë e tensionuar, nisur nga fakti se ish-kryeministri Sali Berisha ka shprehur qartazi se do të jetë i pranishëm, pavarësisht ultimatumit të SHBA.
Gjithashtu Berisha do të jetë në Kuvend pa mbështetjen e partisë së tij, pas vendimit të kreut të PD-së, Lulzim Bashës mbrëmjen djeshme për përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi parlamentar i partisë.
Në konstituimet e parlamenteve të shkuara të pranishëm në llozhat e kuvendit janë ulur ambasadorët e SHBA dhe BE. Nga burime diplomatike Top Channel ka mësuar se në formë proteste ndaj hyrjes së Sali Berishës në parlament, ndërkombëtarët janë duke shqyrtuar mundësinë e mosmarrjes pjesë në seancën e parë të parlamentit të ri.
Top Channel