A ka pazare me Bashën? Rama përsërit: Dora jonë është e shtrirë, PS ka marrë mandatin që ta çojë vendin në nivel tjetër

10/09/2021 11:04

Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të seancës së parlamentit në një komunikim me mediat, u pyet edhe për vendimin që Basha mori në lidhje me Berishën, duke e përjashtuar nga grupi i PD-së.

Rama kur u pyet në lidhje me faktin nëse Basha ‘vrau babain e tij politik’, kryeministri u përgjigj; PS mori një mandat të tretë për të çuar Shqipërinë në nivel tjetër.

Kryeministri Edi Rama: Ndalova në radhë të parë për t’ju uruar të gjithëve ju, një punë të mbarë dhe të frytshme si shërbëtorë të publikut në këtë shesh, këtu në hyrje të Parlamentit. Unë do të angazhohem personalisht dhe Partia Socialiste do të bëjë përpjekjet që të kemi sa më shumë energji të shpenzuara për njerëzit, për problemet e tyre reale, për sfidat e mëdha, të përbashkëta, që ka vendi, për ëndrrat dhe shpresat e tyre dhe sa më pak energji për atë që politika ka bërë fatkeqësisht, në shumë e shumë vite, duke u bërë një pronë e politikanëve, të cilët e kanë abuzuar vijimësisht për qëllime, për interesa, për ambicie që mund të jenë edhe të natyrshme, por që s’janë kurrë të mjaftueshme për t’u ngritur mbi interesat, mbi qëllimet, mbi ambiciet, mbi hallet dhe mbi shpresat e njerëzve.

– Basha e ka dëgjuar këshillën tuaj dhe e ka “vrarë” babain e tij politik?

Kryeministri Edi Rama: Partia Socialiste ka marrë një mandat të tretë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër. Partia Socialiste, sot është në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm të rrugëtimit të saj, sepse duhet të ndjejë në të gjithë qelizat e veta përgjegjësinë e jashtëzakonshme të çuarjes së Shqipërisë në një nivel tjetër dhe sa shumë punë, sa shumë mund, sa shumë energji kërkon kjo dhe sa pak të rëndësishme janë këto të tjerat.

– A është më e hapur rruga që ju dhe Zoti Basha të bashkëqeverisni me njeri-tjetrin, tani që Berisha është përjashtuar nga grupi i PD-së?

Kryeministri Edi Rama: Ne vijmë në këtë Kuvend në mandatin tonë të tretë me dorën e shtrirë. Kjo është diçka që unë e kam thënë qysh në krye të herës, pa marrë parasysh se si do të shkonin zhvillimet brenda PD-së. Dora është e shtrirë për të bashkëpunuar në funksion të vendit, në funksion të interesave të njerëzve, në funksion të të gjithë atyre borxheve që ne ja kemi popullit, ja kemi fëmijëve tanë.

– Berisha thotë që ka një pazar mes jush dhe Zotit Basha. Vazhdon pakti i 2017-s?

Kryeministri Edi Rama: Unë jam shumë i përgatitur që të jem në lartësinë e fjalëve, duke dhënë shembullin i pari dhe natyrisht, duke u përmirësuar çdo ditë edhe në raport me ju. Jam shumë i vetëdijshëm që padashje, pa menduar se mund të kem tejkaluar kufirin dhe kam bërë atë që nuk e bën kurrë një boksier i peshës së rëndë me një boksier të peshës së lehtë, kam krijuar shqetësime për ju. Ju jap fjalën se do të bëj çmos që marrëdhëniet tona të jenë fantastike dhe që unë të jem në dispozicionin tuaj, i urtë, i butë, i dashur, i qetë, me aq sa të mundem. Në rast se kjo nuk do të ndodhë në një moment, do ta dini që do të jetë thjeshtë gabimi im.

– Vendimin e Lulzim Bashës, për ta njoftuar gjysmë ore para se ta bënte publike këtë vendim, e konsideroni moral?

Kryeministri Edi Rama: E kuptoni sa e madhe është sfida jonë dhe sa të mëdha janë problemet, sa të mëdha janë hallet dhe sa të mëdha janë dhe shpresat e njerëzve nga Partia Socialiste? PS-ja e ka të pamundur të shikojë nga lart poshtë, siç po ndodh në këtë moment midis nesh, sepse përndryshe e humb perspektivën, e humb horizontin. Ne jemi lart, ne jemi shumë përpara dhe ne nuk mund të ndalojmë, të kthejmë kokën mbrapa, ta ulim dhe poshtë për të parë se çfarë ndodh mbrapa. Ne do të shikojmë vetëm përpara dhe kush do të bashkohet me ne, për të shkuar përpara, është i mirëseardhur.

– Zoti Rama, u trishtuat apo u gëzuat kur morët vesh përjashtimin e Zotit Berisha nga Partia Demokratike?

Kryeministri Edi Rama: Trishtimet dhe gëzimet janë evenimente shumë të rëndësishme në brendësinë e njeriut, për t’i shpërdoruar për çështje të natyrës politike, aq më tepër në një kamp tjetër.

– Mund të flasim për diçka që prek njerëzit në të vërtetë. Ditët e fundit është përfolur për mundësinë e rritjes së çmimit të bukës. Kur ju keni ardhur në vitin 2013 në pushtet, keni thënë se do të ulni të gjitha produktet e shportës. Çfarë do të ndodhë, do të ketë rritje të çmimit të bukës për njerëzit?

Kryeministri Edi Rama: Ju falënderoj shumë! Këto janë pyetje, të cilave unë do të rrija me orë t’u përgjigjesha, por në këtë rast kam vetëm një problem, që nuk është votuar ende qeveria. Në momentin që do të votohet, unë do të jem këtu, do të jap dhe përgjigje për këtë pyetje. Ju lutem shumë, sa herë jam para jush, me shfrytëzoni për të pyetur për gjëra që njerëzve ju interesojnë. Më shfrytëzoni për të pyetur për gjëra që kanë të bëjnë me punët e vendit.

E shkuara nuk është problem im, nuk është problem i Partisë Socialiste, nuk është halli i PS-së. Kush është e shkuara, mbetet në të shkuarën. Ne jemi e ardhmja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA