Inflacioni arrin 2,4% në gusht, niveli më i lartë që nga 2017. Ndikojnë ushqimet dhe nafta

08/09/2021 19:40

Rimëkëmbja e ekonomisë nga pandemia solli edhe rritjen e çmimeve të produkteve. Këtë e konfirmojnë edhe statistikat e INSTAT, ku inflacioni në muajin gusht kapi nivelin 2.4%, në nivelet më të larta që janari i vitit 2017.

Kjo rritje çmimesh vjen e udhëhequr nga produktet ushqimore, ku së fundmi fruta-perimet, buka dhe produktet e tjerë bazë janë rritur. Më pas çmimet janë rritur edhe për grupin e Transportit, ku një rol të madh ka luajtur çmimi i naftës.

Sipas statistikave, çmimet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën 4,6%, pasuar nga grupet “Transporti” me 4,3%, Komunikimi” me 2,9%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 1,5%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%, “Veshje dhe këpucë” me 0,8%, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Shëndeti” me 0,6% secili, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1%.

Së fundmi, Shoqata e Prodhuesve të Bukës ka lajmëruar një rritje me 10% të çmimit në të gjithë furrat e vendit. Sipas tyre, të gjitha çmimet e produkteve bazë janë rritur dhe kostot e tyre në prodhim janë rritur. Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim në lidhje me rastin.

Shqiptarët shpenzojnë një sasi të madhe të ardhurash për të mbuluar shpenzimet bazë, në nivelin 38%, ndërkohë që në BE kjo mesatare shkon në 13%.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA