Përmes fondacionit që mban emrin e saj i shpëtoi këto vajza nga ferri Afganistanit duke i strehuar në Shqipëri.Prezantuesja e BBC Yalda Hakim nuk e la me kaq.Udhëtoi nga Londra drejt Shëngjinit për t’i takuar e folur gjatë.
Përqafime pafund dhe lot gëzimi nga vajzat të cilat e shikojnë patrioten e tyre gazetare, të kthyer në engjëll mbrojtës në momentet më të vështira të jetës së tyre.
Gëzimi dhe mirësia që përcjell Yalda Hakim nuk është vetëm gjatë bashkëbisedimit me vajzat e minoritetit Hazara sjellë në Shqipëri.
Është me të gjithë afganët e grup-moshave të ndryshme që e rrethuan ta dëgjojnë me shumë kërshëri.
Ky mesoburrë nuk i mbajti lotët kur tregoi momentet e fundit pak përpara vendosjes së këmbës në avion duke u larguar nga Kabuli.
Në momentet më të vështira të jetës së tyre nuk i braktisi por duke vënë në lëvizje njohjet dhe shumë miq, ndërmori një operacion shpëtimi.
Ia doli me sukses t’i nxjerrë nga Kabuli.
Ajo nuk nguroi t’i telefonojë disa herë kryeministrit Edi Rama e t’i kërkoj strehimin e tyre siç edhe ndodhi për mos ti lënë në kampet e refugjatëve të Katarit.
Kjo e bën Yalda Hakim jo vetëm një gazetare brilante por edhe një humaniste të jashtëzakonshme.
Me të drejtë afganasit e kanë quajtur “Vajza e Kombit”.
Pak përpara largimit Yalda Hakim tregon për Top Channel ndjesinë që i la ky bashkëbisedim.
Muhamed Veliu-Yalda ju i premtuat këtyre vajzave nxirrjen nga Afganistani dhe e bëtë këtë. Tashmë ato janë në Shqipëri dhe ju erdhët t’i takoni. Plot emocione apo jo?
Yalda Hakim-Me të vërtetë është një moment emocionues. I mbaj mend bisedat me to kur ishin në Kabul dhe unë në rrugët e Londrës duke dëgjuar lutjet që më dërgonin për ndihmë dhe apelet e tyre plot emocion që të ishin të sigurta. Unë kam shpenzuar shumë kohë me këto vajza vitet e fundit. Ato ishin pjesë e fondacionit. Ndiqja edukimin e tyre hap pas hapi. Në një moment ndjeva se ata ishin fëmijët e mi e kështu për ta lindi një përgjegjësi e madhe për ti nxjerrë të sigurt nga atje dhe të nisnin një jetë të re diku tjetër.
Muhamed Veliu- Patët një bashkëbisedim të gjatë. Çfarë biseduat? Cilat janë shqetësimet e tyre në lidhje me të ardhmen?
Yalda Hakim-Ajo që ata ma përsëritën gjatë bisedës ishte se sa mirënjohës u janë Shqipërisë. Më treguan se çfarë i ndodh kur shkojnë në dyqanet lokale të zonës. Pronarët dhe shitësit në këto dyqane u japin gjëra falas jo sepse ata mendojnë që këta njerëz janë të varfër, por në të shkuarën shqiptarët kanë kaluar kohë të vështira plot vuajtje. Ata u thonë. Merrni çfarë të doni. Mos u shqetësoni për pagesën. Kjo i bën të ndjehen shumë mirënjohës. Ata më thanë se e dinë që shumë afganë kanë shkuar në të gjithë botën por e quajnë veten me fat që janë në Shqipëri. Shumë prej tyre paçka se janë me plot dhimbje nga ajo që kaluan kanë shkuar dhe shijuar bregdetit e këtu.
Për ta vendimi qeverisë shqiptare për t’i akomoduar në këtë zonë bregdetare është diçka shumë speciale.
Muhamed Veliu-Që nga 2008 kur u rikthyet në Afganistan keni raportuar në mënyrë konstante zhvillimet atje por nuk e konsideruat vendin tuaj si një lëndë të parë në prodhimin e lajmeve ekskluzive, por siç më thatë morët mbi vetë përgjegjësi. Kjo përgjegjësi a buron nga fakti se ju vetë ishit një refugjate lufte dhe u larguat me familjen nga Afganistani kur ishit vetëm gjashtë muajshe?
Yalda Hakim-Po. Unë u rrita në Sidney të Australisë dhe tashmë u bënë 10 vite që jetoj në Londër. E lash vendin kur isha 6 muajshe. Po atje janë rrënjët e mia, atje buron gjaku im. Ai vend më ka dhënë mua shumë gjatë 15 viteve të fundit të karrierës time. Kur shkoja atje më trajtonin me dinjitet me respekt me dashuri madje edhe në rastet kur udhëheqësve u bëja pyetje të vështira për keqqeverisjen, korrupsionin, qeverisjen e dobët prapë tregonin respekt.
Atyre u vinte mirë nga puna që unë bëja. Mendoj se prezantimi i zhvillimeve që ti bën është me shumë rëndësi.
Përmes gazetarisë që bëj u ktheva në një zë për ta dhe për perëndimin të kuptonte se çfarë po u ndodhte atyre e vetë afganët të kuptonin vendimet merreshin për ta. Ndjehem mirënjohëse . Në të njëjtën kohë gjithçka kam bërë përmes gazetarisë lidhet me këtë moment të ardhjes në Shqipëri e të takohem me këta njerëz të jashtëzakonshëm. Ndjehesh se asgjë tjetër nuk ka rëndësi përballë lirë dhe mundësive të tyre.
Muhamed Veliu- Duket Yalda se një sfidë e re është përballë jush duke vijuar e ndihmuar këto vajza në jetën e re. Sa e vështirë do të jetë?
Yalda Hakim-Nuk është e lehtë. Imagjinoni për një moment dikusht t’u telefonojë e t’u thotë. Bëhu gati. Për një orë duhet të jesh ne Hotelin Serina dhe mbase një autobus do t’u çojë në aeroport. Pra 1 orë kohë. Ti nuk mund të marrësh një çantë. Nuk mund ti thuash lamtumirë familjes dhe askujt ti tregosh që po ikën. Këta njerëz u larguan vetëm me rrobat e trupit. Ata mbyllën dyert e shtëpive bashkë me to edhe të jetës dhe historitë e tyre atje. Një nga vajzat më tregoi se nuk do të mund të kthehet në rrugët e lagjes ku u rrit, të takohet me fëmijët që u rrit apo shokët e shkollës. Pra kjo vajzë i tha lamtumirë një kapitulli 20 vjeçar të jetës së saj. Po kjo vajzë, më tha se tani duhet ta nisë nga zero.
E gjitha kjo është shumë shumë e frikshme dhe prandaj ne ju jemi mirënjohës që Shqipëria hapi dyert duke treguar kujdes e zemërmadhësi plot bujari për këta njerëz të traumatizuar duke ia zbutur sadopak dhimbjet.
Më poshtë intervista e plotë dhënë gazetarit Muhamed Veliu.
Top Channel