Kryeministri Edi Rama ndodhet në Itali, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në Otranto për mikpritjen që iu bë shqiptarëve në fillim të viteve ’90. Shumë të rinjve shqiptarë iu ofrua mundësi që të vijonin studimet dhe të mos largoheshin nga Italia.
Ditën e sotme, Presidenti i rajonit të Puglias Michele Emiliano, vlerësoi kryeministrin Edi Rama për rëndësinë e miqësisë mes tyre dhe tregoi kërkesën që i ka bërë vazhdimisht për sistemin universitar.
Emiliano e vlerësoi figurën e kryeministrit Rama si një nga liderët më të rëndësishëm të Europës duke thënë se çdo gjë që i thuhet qeverisë së tij duhet të bëhet deri në fund sepse Shqipëria e meriton.
“Kemi kaluar shumë gjëra bashkë, prania juaj në Puglia është arsye për të qenë krenar dhe arsye që tregon dashuri e miqësi. Dua të gjithë të dinë sa dashuri e miqësi kemi hedhur në marrëdhënien tonë. Ndërkohë që ne punojmë, jo gjithmonë arrijmë ta përcjellim në komunitet tona.
Miqësia duhet treguar në çdo formë në çdo çast. Sot, falë kryetarit të Bashkisë së Otrantos, ne kemi mundësinë që të plotësojmë një kërkesë që Rama ma ka bërë më shumë se një herë, të kemi një ide më të qartë për sistemin universitar. Do keni mundësi të përcillni tek një lider që unë e konsideroj si një nga liderët më të rëndësishëm të Europës, dhe kjo përtej dimensioneve që ka vendi i tij, po e bëjë këtë për shkak të historisë sesi ka sjellë paqe në komunitetin e tij. Ne jemi miq të Shqipërisë pa nëse dhe pa por.
Sot kemi mundësi të dëshmojmë me fakte që kjo që po bëjmë sot nuk është thjeshtë zhurma e një fshese të re që po pastron diçka. Shqiptarët janë njerëz të jashtëzakonshëm ato kanë bërë hapa shumë të mëdhenj para, kam qenë në Tiranë para shumë vitesh dhe ta shohësh sot, një metropol ku arti, kultura, shëndetësia ku po bashkëpunojmë, është e qartë që nëse i thoni diçka kryeministrit dhe qeverisë së tij, angazhimet që merrni përsipër duhet ti mbani. Ne duhet t’i bëjmë gjërat mirë deri në fund sepse Shqipëria e meriton”– tha ai.
Top Channel