Thirrje Iranit për t’iu kthyer bisedimeve për marrëveshjen bërthamore

01/09/2021 22:24

Franca dhe Gjermania i bënë thirrje Iranit që të rinisë menjëherë bisedimet që synojnë të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore.

“I kërkojmë Iranit që të rikthehet në tryezën e bisedimeve në mënyrë konstruktive dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane.

Në të njëjtën ditë, ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, theksoi “rëndësinë dhe urgjencën e rifillimit të menjëhershëm të negociatave”, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

Marrëveshja, në bazë të së cilës Irani ka kufizuar aktivitetin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare, është braktisur nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2018.

Për pasojë, Irani ka nisur të shkelë disa pika të marrëveshjes, përfshirë prodhimin e uraniumit të pasuruar, që mund të përdoret për krijimin e armës bërthamore.

Së paku gjashtë runde bisedimesh direkte dhe jodirekte janë zhvilluar në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes.

Bisedimet kanë ngecur pas zgjedhjeve të qershorit në Iran, të cilat i ka fituar presidenti Ebrahim Raisi, politikan i linjës së ashpër.

Thirrjet e Gjermanisë dhe Francës u bënë pasi zyrtarët iranianë thanë të mërkurën se mund të duhen edhe “dy-tre muaj të tjerë” për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve.

“Ne nuk po përpiqemi të ikim nga tryeza e negociatave”, tha Amir-Abdollahian, duke shtuar se Qeveria iraniane beson se “negociata të vërteta janë negociatat që prodhojnë rezultate të prekshme, duke mundësuar garantimin e të drejtave të kombit iranian”.

Bisedimet për shpëtimin e marrëveshjes përfshijnë përfaqësues të vendeve që e kanë nënshkruar atë: Kinës, Francës, Rusisë, Britanisë dhe Gjermanisë.

Shtetet e Bashkuara marrin pjesë në bisedime me ndërmjetësimin evropian.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka synime paqësore, por fuqitë e huaja druajnë se ai synon krijimin e bombës atomike./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA