Banka e Shqipërisë miraton rregulloren që vendos tavan interesi për kreditë konsumatore

01/09/2021 16:19

Në mbledhjen e datës 1 shtator 2021, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe vendosi:

Miratimin e Deklaratës dhe Raportit të Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2021

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 (më tej, “periudha’”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. Depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë u përmirësua ndjeshëm dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme. Në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar. Përmirësimi i situatës shëndetësore mbështeti një rigjallërim të shpejtë të aktivitetit ekonomik. Përvoja e kësaj periudhe, tregon se përshpejtimi i procesit të vaksinimit mbetet i rëndësishëm për të zbutur pasiguritë që ecuria e pandemisë ende ruan mbi zhvillimet e ardhshme ekonomike dhe financiare. Njëherazi, këto pasiguri evidentojnë nevojën që politikat ekonomike, financiare dhe prudenciale të ruajnë elementët e fleksibilitetit për të reaguar në rast nevoje. Për sektorin bankar, mbetet aktuale rëndësia e vlerësimit të rregullt të shkallës së ekspozimit ndaj rreziqeve, dhe e ruajtjes së një qëndrimi proaktiv në drejtim të marrjes së masave për zbutjen dhe përballimin e tyre. Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.

Ndër treguesit kryesorë të veprimtarisë bankare, raporti evidenton përmirësimin e cilësisë së kredisë, ku raporti i kredive me probleme ka rënë gjatë periudhës me 1 pikë përqindje, në nivelin 7.12% (në korrik 2021 ai ka rënë më tej, në 7.05%).

• Miratimin e disa ndryshime në rregulloret “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”” dhe“Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të”

Ndryshimet në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare” synojnë të sigurojnë praktika të drejta në treg, në lidhje me nivelin e normave të interesit, si dhe të kamatëvonesavedhe penaliteteve të aplikuara, sidomos nga subjektet jobanka, për produktet e kredisë konsumatore.

Për rrjedhojë, disa ndryshime u realizuan edhe në rregulloren“Për funksionimin e regjistrit të kredive në Bankën e Shqipërisë, si dhe kushtet dhe procedurat për njohjen, përdorimin dhe rishikimin e të dhënave që administrohen në të” në përputhje me ndryshimet e sipërpërmendura.

• Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave”

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, rregullorja pasurohet me dy aneksetë reja që përmbajnë formate raportimit dhe udhëzuesit shpjegues për plotësimin e tyre, të cilët do të shërbejnë për përllogaritjen e treguesit dhe raportimin e tyre në Bankën e Shqipërisë në sistemin ERRS. Ndryshimet gjithashtu parashikojnë vendosjen e një kufiri minimal të raportit neto të financimit të qëndrueshëm prej 100%, edhe për totalin e monedhave të huaja të rëndësishme, në konsistencë me të njëjtën kërkesë të parashikuar për raportin e mbulimit me likuiditet, por edhe për treguesin tradicional të likuiditetit.

• Miratimin e një ndryshimi në rregulloren “Për raportin e mbulimit me likuiditet”

Ky ndryshim konsiston në rishikimin e përkufizimit të konceptit “monedhë e rëndësishme”, në përputhje me ndryshimet rregullative të BE-së të vitit 2019, të parashikuara në dispozitat e rregullores evropiane 2019/876/EU (CRR2).

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA