Ekipi i ri drejtues i Partisë Demokratike u emërua në shkelje të statutit dhe mes pakënaqësive të shumë figurave kryesore. Katër nënkrytarët e rinj, Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtuesit e sekretariateve u konfirmuan pa garë dhe kandidatë rivalë.
Lulzim Basha konfirmoi betejën në Parlament pasi kundërshtoi paktin Rama-Berisha që ndryshoi Kushtetutën në 2008 duke kërkuar ndryshime rrënjësore kushtetuese , reformë zgjedhore dhe një ndarje të re territoriale. Por edhe pse i adresoi kritikat përballë Sali Berishës menjëherë pas këtij momenti kryetari dhe ish-kryetari PD u mbyllën në zyrë vetëm.
Edi Paloka, i cili pas 8 viteve u spostua nga posti i i numrit dy të partisë nuk e fshehu pakënaqësinë e tij duke anashkaluar momentin jo vetëm të emërimit të tij si kryetar i ri i Këshillit Kombëtar por edhe fjalimin e Lulzim Bashës. As vonesa e Flamur Nokës nuk kaloi pa rënë në sy, i cili erdhi në PD vetëm kur nisi zgjedhja me votë e anetarëve të thjeshtë të kryesisë.
Kritiket e Bashës, Bujar Nishani, Fatbardh Kadilli dhe Eno Bozdo bojkotuan mbledhjen. Nuk surprizoi Mark Marku me mungesën e tij ndërsa Ferdinant Xhaferri u tërhoq nga gara në shenjë revolte ndaj propozimeve të kryetarit Basha për kupolën e re drejtuese.
Top Channel