Më shumë se sa zgjedhja në kryesinë e Partisë Demokratike, Jonila Godole tërhoqi vëmendjen e publikut me qëndrimin e saj pro largimit të Sali Berishës nga PD për shkak se tashmë është pjesë e listës së zezë amerikane.
Në një intervistë për një media vizive, Jonila Godole dha një qëndrim pro amerikan, por duke kërkuar ndarjen përfundimtare të PD nga ish lideri historik i saj.
Mesazhit i dha zë krejt papritur Rilindja Demokratike. Organi zyrtar i Partisë Demokratike e mbajti për disa çaste të publikuar lajmin. Por, në mënyrë të beftë, “bomba” e Godoles u fshi dhe redaksia e RD u kërkoi ndjesë lexuesve për shkrimin e publikuar, ndjesë e cila mesa duket ishte edhe për lexuesin Sali Berisha.
Qëndrimet e Godoles shkaktuan jo pak zhurmë në PD pasi në telefonat e të zgjedhurve të ri mbërriti një sms nga kryetari i grupit parlamentar.
Top Channel disponon mesazhin që Alfred Rushaj i ka dërguar drejtuesve të rinj ku i kërkon që të mos dalin në intervista mediatike, apo të japin qëndrime për çështje të caktuar, pa u koordinuar më parë me linjën politike të partisë.
Elda Menga
Top Channel