Shqipëria ka nevojë për ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve e përmirësojnë përfaqësimin politik, u shpreh kryetari i PD-së në Këshillin Kombëtar të partisë.
Sipas tij, duhen ndryshimet kushtetuese që të reformohet ndarja territoriale dhe të demokratizohet pushteti vendor.
“Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale”, tha Basha në fjalimin e tij.
Këshilli Kombëtar i PD-së po mbahet në Pallatin e Kongreseve, ku e djathta po vendos për përfaqësinë e re.
Top Channel