Pas hetimeve të kryera nga policia në lidhje me aksidentin fatal të shënuar ditën e djeshme në fshatin Manati të Lezhës, ku humbi jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj, mësohet se viktima nuk ka qenë drejtuesi i mjetit, siç u tha më herët.
Drejtuesi i mjetit ka qenë Nikoll Gjoni, i cili arriti të mbijetonte pasi u transportua me urgjencë në spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa viktima ishte i ulur në vendin e pasagjerit.
Gjoni, pas një parakalimi të gabuar ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe është përplasur me sinjikalistën rrugore e më pas me një grumbull gurësh, e për pasojë humbi jetën Paulin Gjomarkaj.
Top Channel ka siguruar pamjet ku duket se si parakaloi, u përplas me murin rrethues të një banese, u rrotullua në ajër derisa u kthye përmbys.
“Në vijim të informacionit paraprak për aksidentin ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Manati, Lezhë, ku humbi jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj, i cili u dha paraprakisht si drejtues mjeti, nga veprimet hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka rezultuar së drejtuesi i automjetit ka qënë shtetasi Nikoll Gjoni, i cili pas një parakalimi të gabuar, ka humbur kontrollin duke dalë nga rruga dhe përplasur me sinjalistikën rrugore e më pas me një grumbull gurësh dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Paulin Gjomarkaj. Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Nikoll Gjoni, 27 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel