Pandemia Covid-19 i gjeti kompanitë të papërgatitura duke bërë që shumë prej tyre të dërgonin në shtëpi punonjësit e tyre në pamundësi për të përballuar kostot.
Në anketën e Këshillit të Investimeve të zhvilluar mes 427 kompanive, rreth 39% e tyre deklaruan se nuk morën asnjë masë për të adresuar pamundësinë e fuqisë punëtore për t’u paraqitur në punë, teksa 25.1% e tyre u shprehën se u detyruan të heqin punonjësit nga puna si pasojë e situatës së vështirë.
Turizmi rezulton edhe sektori që e ka vuajtur më shumë heqjen nga puna të punonjësve përgjatë periudhës Prill 2020-Prill 2021, periudhë mbi të cilën është realizuar anketa, për shkak të masave kufizuese që aplikuan vendet duke mos lejuar ardhjen e turistëve të huaj, çka dëmtoi fort sipërmarrjet e sektorit dhe ato të lidhura ngushtë me të.
Ndërsa puna online u bë një domosdoshmëri në kohë Covid-i, ku u shfrytëzua në masë të madhe nga shërbimet veçanërisht. Rreth 23% e sipërmarrjeve të anketuara deklaruan se punonjësit e tyre u përshtatën dhe punuan online nga shtëpia gjatë kësaj periudhe.
Të pyetur nëse në të ardhmen do të merrnin në konsideratë punën online si një alternativë ndaj punës në zyrë, më shumë se gjysma e sipërmarrjeve që morën pjesë në anketë u shprehën të gatshëm për ta bërë këtë, ndërsa 24.8% e përjashtuan si mundësi.
Kursimet e kompanive shihen nga 38.7% e sipërmarrjeve si masë e parë për të siguruar vijimësinë e biznesit të tyre, teksa alternativa të tjera përfshijnë kreditë bankare si dhe reduktimin e kostove qoftë në shkurtimin e punonjësve apo uljen e prodhimit, kryesisht nga sektori i industrisë, turizmit, shërbimeve dhe tregtisë që u goditën edhe më fort nga kriza.
Më shumë se gjysma e sipërmarrjeve të anketuara deklaruan se kanë përfituar nga skemat mbështetëse të qeverisë, kryesisht ato që operojnë në ndërtim e industri përmes garancive sovrane, i dhe në turizëm, ku kjo e fundit kryesisht përmes skemave të punësimit.
Top Channel