“Të respektojnë të drejtat e grave dhe vajzave”/ DASH: Marrëdhëniet SHBA-Afganistan do të varen nga sjellja e talebanëve!

17/08/2021 11:40

Dje (e hënë, 16 gusht 2021) diplomacia amerikane e bëri të qartë se Uashingtoni nuk do të njohë një qeveri talebane, nëse lëvizja islamike nuk respekton të drejtat e grave dhe refuzon terroristët.

“Sa i përket qëndrimit tonë ndaj çdo qeverie të ardhshme në Afganistan, ajo do të varet nga sjellja e kësaj qeverie. Varet nga sjellja e talebanëve”, u tha gazetarëve Ned Price, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Më tej ai shtoi: “Një qeveri e ardhshme afgane që mbron të drejtat themelore të njerëzve të saj, përfshirë ato të gjysmës së popullsisë së saj, gratë dhe vajzat dhe nuk do të sigurojë një strehë të sigurt për terroristët do të ishte një qeveri me të cilën ne mund të punonim.”

Price tha se i dërguari special i SHBA -së, Zalmai Khalilzad, ishte ende në Katar, ku bisedimet me talebanët kishin vazhduar për disa muaj, duke shtuar se zyrtarët amerikanë po vazhdonin bisedimet me përfaqësuesit e lëvizjes islamike në atë vend.

Ai nuk pranoi të thotë nëse Uashingtoni ende e njeh Ashraf Ghanin si president legjitim të Afganistanit, pasi ai u largua kur talebanët hynë në Kabul.

“Nuk ka pasur transferim formal të pushtetit”, tha Price.

“Kjo është diçka për të cilën po punojmë me bashkësinë ndërkombëtare”, tha një tjetër zëdhënës i diplomacisë amerikane kur u pyet se kë Shtetet e Bashkuara e njohin si udhëheqës legjitim të Afganistanit.

“Situata politike po evoluon shumë shpejt”, tha ai. Sipas Al Jazeera, Presidenti i Afganistanit Ashraf Ghani fluturoi për në Uzbekistan.

Ashraf Ghani u zgjodh president në 2014, duke marrë pushtetin nga Hamid Karzai, i cili ka qeverisur Afganistanin që nga viti 2001.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA