SHBA-ja e shqetësuar me prodhimin e metalit të uraniumit në Iran

17/08/2021 09:41

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me raportin e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) në lidhje me prodhimin e metalit të uraniumit nga ana e Iranit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha më 16 gusht se Shtetet e Bashkuara kanë parë raportin e fundit nga IAEA, sipas të cilit Irani ka bërë përparim në pasurimin e uraniumit.

“Irani nuk ka nevojë të arsyeshme për të prodhuar metal uraniumi, i cili ka lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimin e armëve bërthamore”, tha përmes një deklarate, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, duke i bërë thirrje Teheranit që të ndalë programin e tij bërthamor dhe të kthehet në negociata për zbatimin e marrëveshjes së vitit 2015.

Metali i uraniumit mund të përdoret për të ndërtuar thelbin e një bombe bërthamore.

Por, Irani tha në fillim të këtij viti se po studion metalin e uraniumit për një lloj të ri të karburantit për reaktorin e energjisë.

Sipas marrëveshjes bërthamore të Iranit me fuqitë botërore të vitit 2015, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani u zotua se nuk do të prodhojë metal uraniumi.

Por, ky vend shkeli atë premtim si një nga shumë veprimet që ndërmori pasi ish -presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosi sanksionet.

Trump pati thënë se marrëveshja ishte e negociuar keq dhe se ajo i mundësonte Iranit që të posedojë armë bërthamore.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se dëshiron të kthehet në marrëveshje, por bisedimet indirekte në Vjenë të ndërmjetësuara nga evropianët për të ringjallur marrëveshjen kanë ngecur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA