Që kur Joe Biden njoftoi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, talebanët u hodhën në ofensivë.
Brenda më pak se një muaji, ata arritën të avansonin qytet më qytet, e në fund të merrnin pushtetin. Largimi i presidentit Ashraf Ghani përshpejtoi rënien e Kabulit dhe zhytjen e kryeqytetit afgan në kaos. Ambasadat e disa vendeve janë mbyllur dhe diplomatët janë evakuuar, ndërsa të gjithë kësaj situate i shtohet dhe drama e refugjatëve që arrijnë të largohen, por fati i tyre është i paqartë.
Europa është e ndarë; Austria deklaroi se azilkërkuesit do t’i kthejë mbrapsht në Kabul; presidenti francez Emmanuel Macron këmbëngul për një iniciative europiane e cila do t’i mbrojë, siç u shpreh ai, prej flukseve të parregullta migratore që po gjeneron kriza në Afganistan. Në këtë moment të vështirë për afganët, Shqipëria u shpreh e gatshme t`i ndihmojë.
Këtë javë, sipas VOA-s, vendi ynë përgatitet të presë kontigjentin e parë prej 250 afganësh. Kërkesën e SHBA-së për t’i ofruar strehim të përkohshëm disa refugjatëve politikë që i largohen frikës së shpagimit, iu përgjigjën pozitivisht pa ngurruar edhe qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme me seli në Washington tha për BIRN se kjo lëvizje e Tiranës dhe Prishtinës “ishte jo vetëm shenjë morali e lidershipit e dhembshurie humanitare, por edhe një konfirmim se shqiptarët janë partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara”. Ai theksoi se kontigjenti i refugjatëve afganë nuk përbën asnjë rrezik pasi bëhet fjalë për përkthyes e kontraktues të punësuar nga ushtria amerikane, si dhe familjet e tyre.
Apelet prekëse si ai i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres megjithatë, që bëri thirrje për pranimin e refugjatëve duke i kujtuar të gjithëve detyrimin për mbrojtjen e civilëve, nuk patën në të gjithë rastet efektin e shpresuar. Teksa mijëra afganë po largohen nga vendi, Turqia njoftoi se është duke ndërtuar një mur në kufirin me Iranin për të ndaluar një fluks të mundshëm refugjatësh nga Afganistani. Kur të përfundojë, barriera do të jetë 295 km e gjatë, e fortifikuar me tela me gjemba e llogore për të dëshmuar kështu, siç tha ministri turk i mbrojtjes Hulusi Akar, se kufijtë e vendit “janë të pakalueshëm”.
Top Channel