Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojnë të bashkuar për të siguruar që Afganistani të mos bëhet përsëri një strehë e sigurt për terrorizmin në të cilën shkelen të drejtat e njeriut.
“I bëj thirrje Këshillit të Sigurimit dhe në përgjithësi komunitetit ndërkombëtar të qëndrojnë të bashkuar, të punojnë dhe të veprojnë së bashku, si dhe të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për t’i dhënë fund kërcënimit global terrorist në Afganistan dhe të garantojnë që të drejtat themelore të njeriut do të respektohen“, tha Guterres në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, sipas Anadolu Agency.
Ai theksoi se pavarësisht se kush mban pushtetin, “këto dy parime themelore ku bota ka interes kaq të thellë dhe të qëndrueshëm” duhet të mbështeten.
Paralajmërimi i zymtë vjen pasi talebanët mbërritën në kryeqytetin Kabul, ku kërkuan strehim mijëra njerëz që ikin nga vende të tjera si pasojë e ofensivës së talebanëve.
I dërguari i Afganistanit në OKB, Ghulam Isaczai, paralajmëroi se banorët e Kabulit “tani po jetojnë në një frikë absolute”.
“Banorët e Kabulit po raportojnë se talebanët tashmë kanë filluar bastisjet shtëpi më shtëpi, duke regjistruar emra dhe duke kërkuar për persona të shënjestruar në listën e tyre. Tashmë ka raporte për vrasje dhe plaçkitje në qytet”, tha Isaczai.
Talebanët me shpejtësi kanë marrë nën kontroll shumicën e vendit, në një ofensivë që ka verbuar sytë e fuqive perëndimore derisa forcat afgane po shkrihen. Kabuli dje ra në duart e grupit pasi qeveria afgane dhe ish-presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi.
Pas largimit të Ghani-t, ish-presidenti Hamid Karzai, politikani veteran, Gulbuddin Hekmatyar dhe kryenegociatori i paqes, Abdullah Abdullah, kanë punuar për të siguruar një transferim të qetë të pushtetit.
SHBA është në mes të evakuimit të personelin të saj diplomatik nga Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” i Kabulit, si dhe të mijëra refugjatëve afganë që po kërkojnë statusin e refugjatit.
Washingtoni u bëri thirrje të gjitha palëve afganë “të garantojnë largime të sigurta dhe mbrojtje të jetës dhe pronës njerëzore” derisa po kryen operacionin.
“Dua të ritheksoj këtë thirrje. Popullatat civile, përfshirë gazetarët dhe jo luftëtarët, duhet të mbrohen“, tha Linda Thomas-Greenfield, e dërguara e SHBA-së në OKB.
Ndërkohë, i dërguari i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, tha se “nuk ka kuptim për panik”, duke shtuar se skenari më i keq është shmangur.
“Pika kryesore është se një gjakderdhje e përhapur midis civilëve është shmangur. Ne kërkojmë nga të gjitha palët afgane që të përmbahen nga armiqësitë dhe të angazhohen për një zgjidhje paqësore. Ne besojmë se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndihmojë Afganistanin, ata duhet të bashkojnë përpjekjet e tyre për të ndihmuar Afganistanin të arrijë pajtimin kombëtar“, tha Nebenzya.
Ambasada ruse në Kabul ka mbetur e hapur dhe Kremlini ka pranuar se ka krijuar “kontakte pune” me talebanët.
Top Channel