Serbia do të ofrojë një dozë përforcuese të vaksinës COVID-19 për popullsinë e saj, pasi vendi po përballet me një rritje të numrit të të infektuarve.
Serbia bëhet kështu vendi i parë në Ballkan që do të aplikojë dozën e tretë të vaksinës.
Qeveria atje kishte realizuar një fushatë të shpejt vaksinimi, mirëpo intensiteti i saj ra pasi 40 për qind e popullsisë u vaksinua.
Ndërkohë rastet e reja janë shënuar kryesisht te personat e pavaksinuar.
Dozat përforcuese të vaksinës do të rekomandohen për grupet më të ndjeshme të popullsisë, përfshirë qytetarët me imunitet të dobët dhe të moshuarit, pastaj punonjësit shëndetësor dhe personat që udhëtojnë shpesh.
Qeveria tha se kushdo që ka marrë një vaksinë të dytë më shumë se gjashtë muaj më parë do të ketë të drejtë të marrë një dozë të tretë.
Pavarësisht se me cilën vaksinë janë imunizuar fillimisht, qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin cilëndo vaksinë për dozën përforcuese.
Falë marrëveshjeve të hershme me një sërë kompanish farmaceutike, Serbia u furnizua me miliona doza vaksinash nga Rusia, Kina dhe kompanitë perëndimore, megjithëse shumica e vaksinave janë Sinopharm të Kinës.
Top Channel