John Durham, prokurori federal amerikan i ngarkuar me detyrën për të hetuar origjinën e hetimeve mbi Rusinë ka paraqitur prova para një jurie të madhe në kuadër të procesit, tha të premten një person në dijeni të zhvillimeve.
Paraqitja e provave është një sinjal i rëndësishëm se prokurori Durham mund të jetë duke shikuar mundësinë e ngritjes së akuzave penale, përveç akuzave që ngriti vjet kundër një ish-juristi të FBI-së, i cili pranoi se kishte bërë ndryshime në një email lidhur me një ndihmës të fushatës zgjedhore të zotit Donald Trump, i vënë nën përgjim nga FBI-ja. Zoti Durham pritet të përgatisë edhe një raport.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Drejtësisë nuk pranoi të bënte komente, duke thënë se ende vazhdojnë hetimet.
Gazeta Wall Street Journal njoftoi të premten se prokurori John Durham po paraqiste prova para një jurie të madhe dhe po peshonte nëse do të ngrinte akuza kundër disa punonjësve të FBI-së dhe individëve të tjerë jashtë qeverisë. Një person në dijeni të zhvillimeve, i cili foli me kusht që të mos identifikohej me emër pasi nuk ishte autorizuar të bënte komente mbi këtë çështje, konfirmoi për agjencinë e lajmeve Associated Press se zoti Durham i kishte paraqitur prova jurisë së madhe.
John Durham u emërua në këtë rol në 2019 nga Prokurori i Përgjithshëm në atë kohë, William Barr, me mandatin për të analizuar se si FBI-ja dhe komuniteti i zbulimit kishin vendosur të hapnin hetime lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016 dhe nëse kishte pasur bashkërendim të fshehtë me ekipin zgjedhor të zotit Donald Trump. Ekipi i prokurorit ka intervistuar një numër zyrtarësh në Departamentin e Drejtësisë dhe në komunitetin e zbulimit, përfshirë ish-drejtorin e CIA-s, John Brennan.
Këto hetime zhvillohen veçmas një procesi tjetër që ka hapur zyrtari juridik në Departamentin e Drejtësisë, i cili në dhjetor 2019 nxori një raport ku nënvizoi gabime me peshë si dhe boshlleqe në informacionin e paraqitur nga FBI-ja kur kërkoi të përgjonte bisedat e ish-ndihmësit të fushatës së zotit Trump, Carter Page. Raporti nuk kishte gjetur prova se këto probleme në veprimet e zyrtarëve të FBI-së apo të Departamentit të Drejtësisë ishin motivuar nga paragjykime partiake.
Disa javë para se të jepte dorëheqjen, zoti Barr emëroi prokurorin Durham për të zhvilluar hetimet, ndër të tjera edhe mbi vëmendjen e madhe që FBI-ja i kushtoi në analizën e saj informacionit të mbledhur nga ish-agjenti i zbulimit britanik, Christopher Steele që u përdor si provë për të kërkuar leje nga gjykata për përgjimin e zotit Page.
Zoti Durham po analizon gjithashtu nëse ndokush u ka paraqitur zyrtarëve amerikanë informacion që e dinin se ishte fallso dhe që fliste për lidhje mes bankës private Alfa Bank në Rusi dhe një serveri të përdorur nga ekipi zgjedhor i zotit Trump. FBI-ja nuk zbuloi ndonjë lidhje në hetimet e saj.
Alfa Bank ka ngritur padi se është bërë objekt sulmesh kibernetike në 2016-2017 si rezultat i fushatës së shpifjeve për lidhje mes saj dhe fushatës së zotit Trump.
Vjet në gusht, prokurori Durham arriti një marrëveshje me ish-juristin e FBI-së, Kevin Clinesmith, i cili pohoi se kishte manipuluar një email lidhur me zotin Page, ndërkohë që FBI-ja po paraqiste kërkesë për të përgjuar komunikimet e tij. Clinesmith është i vetmi person ndaj të cilit janë ngritur deri tani akuza nga prokurori Durham./VOA
Top Channel