Origjina e koronavirusit, OBSH: Po ngremë një grup të ri pune!

14/08/2021 19:27

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) deklaroi se po krijon një grup të ri pune për të hetuar origjinën e koronavirusit.

Ndërkohë Kina ka refuzuar thirrjen e organizatës për rinisje të hetimeve rreth origjinës së koronavirusit, duke thënë se mbështet përpjekjet “shkencore” në vend të atyre “politike” për të kuptuar si është përhapur virusi.

Në fakt prej kohësh pamundësia e OBSH-së për ta thënë se ku dhe si filloi përhapja e koronavirusit ka nxitur tensione mes vendeve të saj anëtare, Kinës dhe SHBA-së.

OBSH-ja u bëri thirrje të gjitha qeverive që të bashkëpunojnë për të përshpejtuar studimet lidhur me origjinën e pandemisë COVID-19 dhe “për të depolitizuar situatën”.

Grupi i ri që do të merret me origjinën e koronavirusit të ri është quajtur Grupi Shkencor Ndërkombëtar Këshillimor për Origjinat e Patogjenëve të Ri.

Rastet e para me koronavirusin e ri u zbuluan për herë të parë në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019, por ende shumë pak dihet për origjinën e këtij virusi.

Ndërkohë Uashingtoni ka përshëndetur planin e OBSH-së, duke i mëshuar rëndësisë së “studimeve të bazuara në shkencë për të gjetur origjinën e kësaj pandemie”.

Në janar dhe shkurt, një ekip i OBSH-së qëndroi për katër javë në Vuhan dhe së bashku me ekspertët kinezë bënë përpjekje për të gjetur origjinën e koronavirusit.

Në raportin e tyre përfundimtar, ekipi tha se virusi ndoshta ishte transmetuar nga lakuriqët tek njerëzit përmes një kafshe tjetër, ndërsa një rrjedhje nga një laborator ishte “jashtëzakonisht e pamundur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA