Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Europian ka mbështetur përpjekjet e disa liderëve të Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës.
Ana Pisonero, zëdhënëse pranë Komisionit Evropian, e cila e pyetur për qëndrimin për “Open Balkan” ka nënvizuar se BE-ja i mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal, derisa e thekson rëndësinë thelbësore të gjithëpërfshirjes.
Në një përgjigje për gazetën “Express”, Pisonero thotë se duhet të përparohet për projektin e tregut të përbashkët.
Ajo gjithashtu tha se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.
“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar.Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, tha Pisonero.
Top Channel