Fatkeqësitë natyrore globale me kosto mbi 70 miliardë dollarë

13/08/2021 02:44

Humbjet ekonomike globale nga fatkeqësitë natyrore dhe njerëzore vlerësohen në 77 miliardë dollarë, për gjysmën e parë të vitit, njoftoi sot agjencia zvicerane e sigurimeve “Swiss Re”.

“Për këtë semestër, shuma e humbjeve ekonomike është nën mesataren dhjetëvjeçare, që është më shumë se 108 miliardë dollarë për semestrat e parë”, përcaktoi Swiss Re. “Por kostot që do të duhet të mbulojnë siguruesit do të rriten nga ana tjetër me 4 për qind, në 42 miliardë dollarë, përfshirë 40 miliardë për fatkeqësitë natyrore”, shtoi grupi zviceran, që vë në dukje se kostot janë zakonisht më të ulëta në gjysmën e parë të vitit, sesa në të dytin, kur fatura në përgjithësi rritet për shkak të sezonit të uraganeve në Atlantikun e Veriut.

Për siguruesit, kjo është gjysma e parë më e shtrenjtë që nga viti 2011, kur fatura u rrit për shkak të tërmeteve në Japoni dhe Zelandën e Re. Mesatarisht, fatura për siguruesit gjatë dhjetë viteve të fundit është rreth 33 miliardë dollarë, gjatë semestrave të parë. Gjithashtu, të ashtuquajturat ngjarje klimatike dytësore, në krahasim me fatkeqësitë natyrore shumë të mëdha, përfaqësojnë një “rrezik në rritje”.

Stuhia dimërore Uri, që goditi SHBA-në në shkurt, me acarin që arriti deri në Teksas, shkaktoi 15 miliardë dollarë humbje. Stuhitë dhe breshëri në qershor, që dëmtuan makina dhe shtëpi, veçanërisht në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Republikën Çeke si dhe në Zvicër, gjeneruan kosto të vlerësuara në 4,5 miliardë dollarë për siguruesit.

Pas temperaturave ekstreme në fund të qershorit në Kanada, semestri i dytë tashmë ka filluar me një rritje të dëmeve klimatike, mes zjarreve në Kaliforni, përmbytjeve në Gjermani dhe Kinë, si edhe zjarreve në Turqi, Greqi dhe Itali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA