Ekonomia shqiptare do të rimëkëmbet më me shpejtë se parashikimet këtë vit, pas goditjes që mori një vit më parë nga kriza e pandemisë si rrjedhojë e karantinës 3-mujore dhe masave të tjera kufizuese.
Janë këto pritshmëritë optimiste të Bankës qendrore të evidentuara në raportin tremujor të politikën monetare, ku sipas saj ndikim në rikuperimin më të shpejtë se pritshëmritë kanë dhënë sektori prodhues, ai shërbimeve si dhe energjisë elektrike.
Ecuria pozitive e treguesve të ekonomisë në tremujorin e parë dhe përmirësimi i besimit në ekonomi krijojnë premisa për norma më të larta të rritjes ekonomike edhe tremujorin e dytë, thuhet në raportin e Bankës qendrore.
Por, me gjithë parashikimet optimiste, Banka qendrore vlerëson se përhapja e varianteve të reja të virusit mund të rrezikojë ekonominë e vendit, që së bashku me rimëkëmbjen e ngadaltë të konsumit mund të ndikojnë në ecurinë e përgjithshme të ekonomisë në vijim.
Një përkeqësim i situatës nuk përjashton rikthimin e masave kufizuese dhe në kushte të tilla vlerëson banka mund të shtoheshin pasiguritë te konsumatorët që do të detyroheshin të kursenin dhe kanalizonin të ardhurat e tyre vetëm drejt nevojave emergjente.
Në tremujorin e parë aktiviteti ekonomik u përshpejtua ndjeshëm dhe ekonomia u rrit me 5.5% sipas Institutit të Statistikave. Po kaq është norma e rritjes së parashikuar në optikën e qeverisë në fund të këtij vitit mbështetur nga procesi i rindërtimit dhe turizmi, teksa banka qendrore ka parashikuar një rritje prej 5.3%.
Ndërsa më konservatore janë institucionet ndërkombëtare në vlerësimet e tyre për ecurinë e ekonomisë shqiptare që sipas tyre nuk do të tejkalojë 5% rritje.
Top Channel