Autoritetet njoftuan në mbrëmje për situatën e zjarreve në vend duke evidentuar vatrat në shtatë qarqe të Shqipërisë. Në Vlorë në Gadishullin e Karaburunit dhe fshatin Dukat, zjarri vijon akoma.
Situata është ende problematike ne disa zona, por Llogaraja nuk rrezikohet dhe as fshati Dukat. Operacionet nga ajri u përqendruan të martën në fshatin Thirrë të Mirditës. Pjesa nga ana e tunelit është e normalizuar. Në Munellë dhe Domgjon të Lezhës është bërë e mundur izolimi në pjesën nga ana e Domgjonit.
Vatra e zjarrit ka 1 shtrirje të madhe në terren të thyer dhe është i vështirë izolimi në tërësi i saj. Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës” në Kukës vijon të mbetet problematike në disa anë. Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë mundësuar izolimin e vatrës tek zona Qafa e Kumbullës, FA e Kosovës ka punuar nga ana e Lakut të Mollës e cila vijon të jetë aktive me intensitet të lartë që është në kufi me Pukën.
Edhe ana nga Laku i qershive vijon të mbetet problematike. Në Gurin e Nikës ( Zone e Mbrojtur ) Qarku Korçë, bashkia Pogradec për shkak të erës së fortë u riaktivizua sërish zjarri i mëparshëm. Situata është e vështirë. Në qarkun Durrës vatra aktive ka në Fushë-Krujë në një depo që digjen goma të përdorura.
Në Malin e Tomorrit, në zonën shkëmbore mbi “Teqenë e Kulmakut”, fshati Ujanik, pati riaktivizim të zjarrit dhe situata po mbahet në monitorim. Në fshatin Therepel, bashkia Skrapar Situata doli jashtë kontrollit të forcave në terren, duke rrezikuar një zonë të banuar rreth 250-300 metra largësi. Por ndërhyrja solli vënien nën kontroll të situatës.
Top Channel