Tre të rinj janë arrestuar nga policia e Vlorës për plagosjen me sende të forta të një 44-vjeçari.
Ngjarja ndodhi më 6 gusht 2021 dhe janë vënë në pranga tre persona si autorë të dyshuar të ngjarjes, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum, në bashkëpunim me strukturat e DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve:
-D. H., 22 vjeç, D. I., 23 vjeç dhe K. P., 24 vjeç, të tre banues në Orikum”, njofton policia.
Këta persona në bashkëpunim me njeri-tjetrin, më datën 06.08.2021, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në afërsi të Orikumit, kanë goditur me grushta dhe me sende të forta, shtetasin H. H., 44 vjeç, banues në Orikum, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel