Dy persona janë arrestuar në Mallakastër e Fier për zjarrvënie të qëllimshme.
Një 23 vjeçar banues në Anabreg, Mallakastër dyshohet se është autor i zjarrit në fshatin Çorrush, ku si pasojë është djegur sipërfaqe toke e konsiderueshme me bimësi të ndryshme. Ndërsa një 39 vjeçar, banues në Fier u arrestua, pasi duke djegur disa mbeturina në pronën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur ullinj, dru frutorë dhe hardhi.
Rreth 9000 rrënjë ullinj shekullorë dhe 70 ha pyje me pisha është dëmi i shkaktuar nga zjarret e ditëve të fundit në Bashkinë e Fierit. Në zonat e Cakranit dhe Gjorgozit zjarri u shua gjatë mbrëmjes së të dielës pas disa ditësh të vështira për të ndërhyrë nga forcat zjarrfikëse, forcat e ushtrisë dhe ndihma e helikopterit.
Një tjetër vatër në Radostinë Vadhizë Zhupan dogji të gjithë kodrën e fshatrave me rreth 9000 rrënjë ullinj. Nga flakët e larta u kërkua ndihma e forcave zjarrfikëse nga Patosi Roskoveci dhe nga Divjaka pasi zjarri rrezikontë banesat nëse nuk do të ndërhyrje në kohë.
Zjarrfikësit kërkojnë rrugë të përshtatshme në zonat kodrinore për kalimin e mjeteve zjarrfikëse dhe ndërhyrjen e shpejtë të tyre. Në shumë vatra zjarri në zonat kodrinore është punuar me mjete rrethanore.
Top Channel