Zjarret në Shqipëri, 7 vatra aktive/ Era përkeqësoi situatën në Dukat e Kalimash

07/08/2021 23:44

Autoritetet njoftuan në mbrëmje se në të gjithë vendin janë aktive 7 vatra zjarri. Në Dukat situata është kritike, pasi era ka ndikuar në përhapjen e flakëve, duke shtuar intensitetin e tyre. Rreth 200 trupa nga Forcat e Armatosura janë në gatishmëri për të bërë të mundur izolimin e zjarrit. Ndërsa vijon po ashtu puna për shuarjen përfundimtare të flakëve në Gjirin e Gramës.

Zjarri tek Maja e Rrunës, në Kukës është vënë nën kontroll vatra në drejtimin nga vendi i quajtur Laku i Thive, por po monitorohet nga forcat operacionale. Mbetet aktiv zjarri sipër Tunelit të Kalimashit, ku situata është përkeqësuar për shkak të erës.

Po punohet për të mos lënë përhapjen në territorin e njësisë administrative Surroj, ku mund të ketë rrezik për stanet e fshatit. Puna vijon pandërprerë me vatrat në fshatin Thirrë dhe fshatin Munellë-Domgjon, të bashkisë Mirditë, ku ende ka vatra aktive në një pjesë të zonave. Në kontroll janë vatrat në fshatin Vermosh, në Malësi të Madhe, vatra në luginën e Valbonës në fshatin Klysyrë si dhe vatra në fshatin Gjorgos në Cakran të Fierit.

Zjarri i rënë në pyllin Shetaj afër Kepit të Rodonit në Durrës nuk paraqet rrezik për zonat e banuara, por po mbahet nën monitorim. 3 vatra të tjera si ajo në fshatin Deshiran në Bashkinë Belsh, zjarri në vendin e quajtur “Varri i Nures”, në kufi midis Përmetit dhe Skraparit në Bejkollarë, por edhe zjarri i rënë në zonat e mbrojtura, Parku Kombëtar, Bredhi i Hotovës-Dangëlli tashmë janë shuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA