U arrestua për shpërdorim detyre, sekuestrohet një pronë e ish-Drejtorit të Postës në Korçë

07/08/2021 11:25

Gjykata e Korçës ka vendosur sekuestrimin e një prone të ish drejtorit të postës në Korçë, i cili u arrestua para një muaji për shpërdorim detyre.

Bëhet fjalë për shtetasin Valter Gora, i cili në muajin korrik u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Policia njofton se nga hetimet e kryera, dyshohet se të ardhurat e paligjshme të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasit V. G., janë investuar në blerjen e këtij ambienti, i cili ishte në përdorim të filialit të Postës Shqiptare (i lëshuar me qira).

Postimi i plotë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë datë 28.07.2021, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj një prone në qytetin e Pogradecit, konkretisht lokal shërbimi, në pronësi të shtetasit V. G., i cili u arrestua në datë 14.07.2021, në kuadër të operacionit policor “Kontrata”, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera, dyshohet se të ardhurat e paligjshme të përfituara nga aktiviteti kriminal i shtetasit V. G., janë investuar në blerjen e këtij ambienti, i cili ishte në përdorim të filialit të Postës Shqiptare (i lëshuar me qira).

Vijon puna për të verifikuar dhe evidentuar pasuritë e tjera, që mund të jenë në emër të 41-vjeçarit V. G. dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA