Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) këtë të shtunë ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për babanë e Arbër Çekajt, Selim Çekajn, pavarësisht se Prokuroria e Posaçme, SPAK u tërhoq nga kjo masë sigurie dhe kërkoi arrest shtëpie për 72-vjeçarin.

Selim Çekaj është arrestuar pas gjetjes së 49 kg kokainë në kontejnerin me banane që ai kishte porositur.

Avokati i Selim Çekajt, Maks Haxhia tha se ai nuk përbën rrezik dhe është i sëmurë, ku prej 1 muaj ndodhet i shtruar në spital dhe për këtë duhej të ishte liruar nga qelia, por sipas tij gjykata zhvilloi një seancë të turpshme në shkelje të ligjit.

Sipas Haxhisë edhe vetë prokurori i çështjes tha se nuk kishte prova ndaj Selim Çekaj, por që gjykata vendosi sërish ta mbajë në fuqi masën “arrest me burg”.

Ashtu si edhe i biri, Selimi ndoqi të njëjtën rrugë dhe skemë për të fshehur kokainën. Sasia e drogës ishte futur në pjesët metalike të një kontenieri i cili ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador, kishte bërë një ndalesë në Mersini të Turqisë dhe destinacioni final ishte Porti i Durrësit.

Ngarkesa kishte rreth dy ditë në port, por policia ka pasur dyshime, se në kontenierin me banane ka pasur kokainë dhe në bashkëpunim me autoritetet portuale, bënë një skanim të dytë ku në shasinë e tij, u gjetën disa pako me madhësi të ndryshme.

Vetë porositësi i bananeve dhe kokainës, Selim Çekaj refuzoi që të ushtrohet kontroll i kontenierit dhe kërkoi që ta çojë në magazinën e kompanisë së tij, Ecoalmax, në Maminas. Magazina është e njëjta që ka qenë në përdorim edhe nga kompania në pronësi të djalit të tij, Arbër Garden, brenda së cilës në shkurt të 2018, u gjetën 613 kilogramët e kokainës.

Për këtë sasi droge, që vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur mes 20 ton bananeve, u arrestua shoferi i kamionit të kompanisë së Arber Çekajt, Armando Pezaku dhe menaxheri Donaldo Lushaj.

Ndërsa, Arbër Çekaj, u vu në pranga në Gjermani tre javë pas sekuestrimit të kokainës. Ai qëndroi në burg, ndërsa në shtator të vitit 2019 u ekstradua nga Gjermania për t’u përballur me akuzat e drejtësisë shqiptare. Prokuroria fillimisht kërkoi 21 vite burg për Çekaj, por pas gjykimit të shkurtuar, përfitoi ulje me 1/3-tat dhe u dënua me 14 vite burg.

Në seancat e zhvilluara ndaj tij, Arbër Çekaj, i ka mohuar gjithnjë akuzat që të ketë qenë ai personi që kishte porositur kokainën. Por siç duket, aktiviteti i trafikut të drogës, u mbajt gjallë nga babai i tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA