Në Shqipëri kanë mbërritur ndërkohë helikopterët zjarrfikës nga BE. Ende mbeten 10 vatra aktive të zjarrit, njëra mjaft e rrezkshme në Gjirokastër, ku kërkohet evakuimi i banorëve.
Në ditën e 12 të shpërthimit të zjarreve në Gadishullin e Karaburunit (Vlorë), në Gjirokaster dhe Malin e Rrunës (Kukës) ka ende vatra zjarri me intensitet të lartë. Ministria e Mbrojtjes theksoi të premten në mbrëmje, (06.08) në deklaratën përmbyllëse të situatës së zjarreve se “janë shuar 163 vatra zjarri nga Forcat e Armatosura, zjarrfikësit dhe emergjencat civile por mbeten ende 10 vatra aktive, ku dy prej tyre, njëra në Gadishullin e Karaburunit dhe tjetra në majën e Malit të Rrunës janë vatra agresive, ku po punohet me forca të kombinuara nga toka dhe ajri.”
“Ka një vatër jashtëzakonisht të rrezikshme edhe në Gjirokastër për të cilën bëj thirrje që policia të evakuojë banorët. Ka probleme serioze edhe në Kukës,” deklaroi mbrëmë Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Helikopterët nga BE fillojnë fluturimet
Tre helikopterë të fuqishëm zjarrfikës, ndihmë për Shqipërinë në shuarjen e zjarreve, të vëna në dispozicion prej aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, (BE), mbërritën të premten në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës, në Rinas dhe të shtunën, (07.08) fillojnë fluturimet për të shuar 10 vatrat aktive të përqëndruara në Veri dhe në Jug të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, theksoi se me kontributin e tyre ka shpresa që sot të shuhen vatrat e rrezikshme të zjarrit në Gadishullin e Karaburunit,” që kërcënojnë Parkun Kombëtar të Llogarasë, një prej mushkërive më të rëndësishme të Shqipërisë”, vuri ai në dukje.
Solidaritet i BE me Shqipërinë
Ambasadori i Delegacionit të BE në Tiranë, Luigi Soreca, e vlerësoi mbërritjen në Shqipëri të helikopterëve zjarrfikës nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE, tregues “i solidaritetit të BE ndaj popullit shqiptar”.
Tre helikopterët, dy nga Hollanda dhe një nga Çekia, do t’i bashkohen sot flotës vendase për shuarjen e zjarreve në 10 vatrat e mbetura. Në mbështetjen e BE, krahas helikopterëve do të jenë edhe 50 efektivë ushtarakë, “të specializuar në fushën e emergjencave civile, që do t’i bashkohen efektivave vendase,” theksohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes./DW/
Top Channel