Zhvillimi në karrierë, shqiptarët kërkojnë ngritje në detyrë pas moshës 38 vjeç

06/08/2021 08:25

Administrata publike shërben si vendi ku zhvillojnë karrierën një pjesë e mirë e të punësuarve në tregun vendas të punës. Ndaj përpunimi i të dhënave mbi këtë administratë nxjerr në pah edhe disa tendenca që shfaqen sa u takon grupeve të caktuara.

Për shembull nga të dhënat e rekrutimit rezulton se shqiptarët e punësuar në administratë përgjithësisht presin apo aplikojnë për një ngritje në detyrë mesatarisht rreth moshës 38 vjeç. Raporti i Departamentit të Administratës Publike tregon pikërisht këtë tendencë për elementë, edhe se kur grupe të caktuara kërkojnë t’i bashkohen shërbimit civil.

“Krahas të dhënave të përgjithshme të rekrutimit dhe aplikantëve, me vlerë është edhe kuptueshmëria e disa elementëve të profileve të kandidatëve. Ndaj dhe disa nga treguesit përqendrohen pikërisht tek mosha e aplikantëve, për kategori të ndryshme pozicionesh. Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikojnë, pavarësisht llojit të procedurës, është 31 vjeç, ndërkohë, mosha mesatare e aplikantëve për t’u pranuar në shërbimin civil është 29 vjeç dhe mosha mesatare e atyre që aplikojnë për ngritje në detyrë është 38 vjeç” thuhet në raportin e DAP.

Sa i takon zhvillimit në karrierë brenda administratës, pra lëvizjet brenda saj në pjesën më të madhe ndodhin brenda të njëjtit institucion. “Përqindja më e lartë e lëvizshmërisë ndodh brenda të njëjtin institucion, gjë që përbën edhe 65% të të gjitha lëvizjeve në shërbimin civil. Ndërkohë, duket se numri i nëpunësve civilë që i bashkohen administratës qendrore nga institucionet e pavarura, mbetet më i ulëti” thuhet në dokument.

Nga ana tjetër vetëm 11% e vendeve të lira të shpallura janë plotësuar nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele. Po e njëjtë duket se është situata në lidhje me ngritjet në detyrë, ku vetëm 12% e vendeve të lira janë plotësuar nëpërmjet kësaj procedure.

Sipas DAP, një tjetër tregues me rëndësi, është edhe plotësimi i vendeve të lira në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtues, me kandidatë nga jashtë shërbimit civil. Të dhënat e këtij institucioni tregojnë se kjo metodë ka rezultuar e suksesshme dhe se një pjesë e konsiderueshme e vendeve të hapura për rekrutim nga jashtë shërbimit civil, janë plotësuar nëpërmjet rregullit përjashtues të 20%./Monitor

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA