Arrestohet një person në pikëkalimin kufitar në Vërmicë për veprën penale “Dhënie ryshfeti”
Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare të Vërmicës, pasi tentoi t’u japë ryshfet zyrtarëve të policisë
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa shtetasi me inicialet Q.H., kishte vendosur një kartëmonedhë 10 euro në pasaportën e tij.
I pyetur nga zyrtari kufitar për kartëmonedhën ai ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.
Policia ka marrë masat e nevojshme dhe ka arrestuar personin në fjalë si dhe ka thyer pas automjetin së bashku me mallin brenda.
“Sot më datë 6.08.2021, në orën 05:55 minuta, në pikëkalimin kufitar në Vermicë, një shtetas nga Shqipëria gjatë kalimit të kufirit Shqipëri – Kosovë, kishte tentuar që t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë gjatë kontrolleve të kalimit kufitar.
Shtetasi shqiptar me inicialet Q.H, i lindur në vitin 1971, gjatë procesit të kontrollit, në pasaportën e tij kishte lënë një kartëmonedhë (10 euro), dhe kur është pyetur nga zyrtari kufitar për kartëmonedhën, i njëjti ishte përgjigjur se i kishte lënë për kafe.
Me këtë rast zyrtarët policorë kanë marrë masat e nevojshme, është njoftuar prokurori kujdestar me urdhër të të cilit personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës si dhe kartëmonedha është konfiskuar si dëshmi materiale.
Pas përfundimit të procedurave personi i dyshuar, me urdhër të prokurorit është dërguar në qendrën e ndalimit, kurse malli së bashku me automjetin është kthyer prapa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel