Ktheu aktin normativ për alokimin e fondit shtesë 900 mln lekë për Bashkinë Tiranë/ Meta: Shkel parimin e shtetit të së drejtës! Qeveria të argumentojë urgjencën

05/08/2021 11:33

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend aktin Normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2021.

Kreu i Shtetit argumenton se alokimi i fondit shtesë 900 mln lekë për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar është në shkelje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Rreth 3 javë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin special për ndërtimin e teatrit me koncesion, ligj që shpjegohet se kishte humbur fuqinë për shkak të dështimit të negociatës, si dhe rrëzoi vendimin e qeverisë për kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit nën përgjegjësinë e Bashkisë Tiranë.

Por pak ditë më parë ishte Këshilli i ministrave që përmes një VKM-je vendosi kalimin e pronësisë së truallit të Teatrit Kombëtar nën përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës.

“Akti Normativ shkel parimin e shtetit të së drejtës, Qeveria të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën. 900 mln lekë për Teatrin e ri, Qeveria dhe Kuvendi vazhdojnë të miratojnë vendime nën frymën e akteve antikushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi kanë shkelur, anashkaluar dhe sfiduar hapur autoritetin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese.

Fondi 900 mln lekë për Teatrin e ri, akordohet për një projekt dhe pronë që nuk duhet të ishte dhe që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk është më në kompetencën apo në pronësinë e Bashkisë Tiranë.

Antikushtetutshmëria e kalimit të pronësisë së Teatrit Kombëtar, tek Bashkia Tiranë ishte objekt vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese . Qeveria dhe Kuvendi, përmes teorisë së “faktit të kryer”, njësoj si me aktin e shembjes së godinave të Teatrit Kombëtar, kanë ushtruar presionin publik politik ndaj vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Qeveria dhe Kuvendi kanë krijuar një tjetër situatë absurde, duke thelluar paligjshmërinë dhe antikushtetutshmërinë”, tha Presidenti.

Ndër të tjera, Meta thotë se fondet për godinën e re të Teatrit Kombëtar, paligjshmëria dhe antikushtetuetshmëria as mund të mendohet se mund të ndodhë në një shoqëri demokratike ku sundon ligji dhe shteti i së drejtës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Teatrit Kombëtar ka hyrë në fuqi, ndaj Akti Normativ bie hapur ndesh me të. Prioriteti i parë dhe themeltar për vitin 2021 duhet të ishte përballimi i pasojave të COVID-19, por Qeveria në 22 qershor 2021 në mënyrë antikushtuese vendos të akordojë fond për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e Teatrit dhe për blerje dronësh!

Qeveria të japë mbështetje edhe më të madhe buxhetore për përballimin e nevojave për vaksinimin e popullsisë dhe pasojave që pandemia i ka shkaktuar ekonomisë së vendit! Brenda 6-muajve, Qeveria ka nxjerrë 4 Akte Normative për ndryshimin e Buxhetit 2021. Ky është tregues i programimit të dobët financiar”, përfundon argumentin Kreu i Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA