Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga pesë persona, katër prej tyre pasi janë kapur në flagrancë në tentativë për të kultivuar bimë narkotike dhe një pasi posedonte armë zjarri, tip automatik, pa leje përkatëse.
Kështu policia ka vënë në pranga për tentativën e kultivimit të bimëve narkotike: Agim Piperi, Teki Mino, Edmond Këmbaci, banues në Kuçovë, si dhe Luan Bërxha, banues në fshatin Mamaj, Tepelenë.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 38 vjeç, banues në Gjirokastër; T. M., 39 vjeç, banues në Këlcyrë dhe E. K., 47 vjeç, banues në Kuçovë, pasi këta shtetas në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë tentuar të kultivojë bimë narkotike në një ambient të hapur, në afërsi të fshtatit Këllëz.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 62 vjeç, banues në fshatin Mamaj, Tepelenë, pasi ka tentuar kultivoj bimë narkotike në bahçen e banesës së tij”, njofton policia.
Ndërsa arma e zjarrit pa leje iu sekuestrua shtetasit Afrim Dorda banues në fshatin Luftinj, Memaliaj.
“Shërbimet e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, të cilën ky shtetas i posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., për veprën penale ” “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve””, bën me dije policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel