Shqipëria ndodhet në ditën e 10 të luftës me zjarret që kanë përfshirë vendin nga veriu në jug.
Ndërsa forcat zjarrfikëse dhe helikopterët nga ajri përpiqen të shuajnë flakët, në të gjithë vendin numërohen 6 vatra aktive, ndërsa 2 janë shuar tërësisht, dhe një tjetër është izoluar.
Situata vazhdon të jetë kritike në Gadishullin e Karaburunit , pasi zjarri aty është akoma aktiv, pavarësisht përpjekjeve për ta vënë nën kontroll.
Ndërkohë që një zjarr në dalje të autostradës Fier – Vlorë ka rrezikuar ndjeshëm depozitat e një karburanti aty afër ,pikërisht në hyrje të rrugës për në fshatin Nartë. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka shpëtuar situatën.
Zjarri në fshatin Cukal, bashkia Vau Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij dhe sot ka filluar operacioni për shuarjen e plotë të tij.
Po ashtu zjarre ka edhe në Fushë Arrëz ku efektivë nga Forcat e Armatosura kanë zbarkuar në terren për ti shuar ato.
Në fshatin Lukan, në Dibër flakët momentalisht janë izoluar, ndërsa në fshatrat e Njësisë Administrative Antigone kanë vijuar të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Arshi Lengo, Asim Zeneli, Krinë.
Në fshatrat e Njësisë Administrative Lunxhëri vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Qesorat, Dhoksat, Tranoshisht dhe Saraqinisht.
Vatra zjarri ka edhe në fshatin Gadurovë- Selishtë, bashkia Mallakastër., ku sot kanë filluar operacionin forcat në nivel qarku.
Ndërkohë shuar zjarri në një sipërfaqe me pisha dhe shkurre në Qafë Murrë, bashkia Dibër si dhe në Malin e Shëngjinit, bashkia Lezhë.
Top Channel