Ekonomia amerikane tejkalon rritjen para pandemisë

30/07/2021 06:58

Nxitur nga vaksinimet dhe ndihma qeveritare, ekonomia amerikane u rrit me një normë të qëndrueshme vjetore prej 6.5% tremujorin e fundit, shenja më e qartë deri tani se vendi ka arritur një rimëkëmbje të qëndrueshme nga recesioni pandemik.

Raporti të enjten nga Departamenti i Tregtisë vlerëson se produkti i brendshëm bruto në vend – prodhimi i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve – u rrit në tremujorin prill-qershor nga një normë vjetore e fuqishme prej 6.3% që ishte shënuar në tremujorin e parë të vitit.

Shifra tremujore ishte megjithatë më e ulët nga sa prisnin analistët. Por kjo erdhi kryesisht pasi problemet në zinxhirët e furnizimit ushtruan një zvarritje më të madhe nga sa ishte parashikuar në përpjekjet e kompanive për të plotësuar porositë e tyre. Ngadalësimi në riplotësimin e inventarit, në fakt ra 1,1 pikë përqindje nga rritja vjetore e tremujorit të kaluar.

Në kontrast, shpenzimet e konsumatorit – motori kryesor i ekonomisë amerikane – ishin të fuqishëm në tremujorin e fundit: ato u rritën me një normë vjetore prej 11.8%. Shpenzimet për mallra u rritën me një normë 11.6%, megjithëse shënuan ulje nga një rritje prej 27.4% në tremujorin e parë. Dhe shpenzimet për shërbime, nga restorantet deri tek biletat e linjave ajrore, u rritën me një normë prej 12%, nga një rritje prej 3.9% në periudhën janar-mars ndërsa vaksinimet inkurajuan më shumë amerikanë të blinin, të udhëtonin dhe të hanin jashtë.

Për gjithë vitin 2021, ekonomia pritet të rritet me rreth 7%. Kjo do të ishte rritja më e fuqishme vjetore që nga viti 1984. Dhe do të shënonte një kthesë të mprehtë nga tkurrja ekonomike e vitit të kaluar me 3.5% – më e keqja në 74 vjet – si rezultat i pandemisë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA