Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, Izraeli riktheu në fuqi të ashtuquajturën “pasaportë të gjelbër”.
Në tubimet me më shumë se 100 njerëz, pjesëmarrësit më të vjetër se 12 vjeç duhet të tregojnë një certifikatë, e cila dëshmon se ata janë vaksinuar kundër koronavirusit, janë shëruar ose janë negativë.
Kjo vlen edhe për ngjarjet sportive dhe kulturore, si dhe palestrat, restorantet, faltoret e të tjera.
Pasaporta e gjelbër, e cila ka sjelljë lehtësime për të vaksinuarit dhe të shëruarit, është lëshuar fillimisht në muajin shkurt.
Por, më 1 qershor, pas një rënieje të mprehtë të infektimeve me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka marrë vendim që rregullat nën pasaportën e gjelbër të skadojnë.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha të enjten se varianti Delta i koronavirusit është duke shkaktuar rritje të numrit të të infektuarve.
Të enjten, ajo tha se ka regjistruar 2,165 raste të reja një ditë më herët.
Mbi 57 për qind e popullsisë së Izraelit është plotësisht e vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë po ashtu tha se një ekip ekspertësh ka rekomanduar dozën e tretë të vaksinës kundër koronavirusit.
Nisur nga e diela, njerëzit mbi 60 vjeç mund ta marrin dozën e tretë.
Top Channel