Një 50-vjeçar nga Polonia është arrestuar sot në Fier, pasi u kap duke lëvizur me shpejtësi tre-fish mbi normalen.
Pas aksidentit tragjik të një nate më parë, ku humbi jetën drejtuesja e “Benzit”, 19-vjeçe, policia ka shtuar kontrollet në Bypass-in e Fierit.
Shtetasi me iniciale T.S. u kap me 231 km/h, ndërkohë që i paraqiti policisë patentë të rreme. Sipas policisë, “Ferrari” është bllokuar nga autoritetet gjermane, pasi nuk janë paguar siguracionet.
Ai do të hetohet për përdorimin e dokumenteve e vulave të falsifikuara, ndërkohë që u gjobit me 80 mijë lekë për tejkalim të shpejtësisë dhe mungesës së siguracionit.
Njoftimi i policisë:
Me patentë të falsifikuar dhe me shpejtësi gati trefish mbi limitin e lejuar, Policia e Fierit vë në pranga 50-vjeçarin nga Polonia.
Në Bypass-in e Fierit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar nëpërmjet radarit📸, automjetin tip “Ferrari” me targa gjermane, që drejtohej me shpejtësi 🛫231 km/h, nga shtetasi T. S., 50 vjeç, nga Polonia.
Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Interpolin ka rezultuar se ky automjet është i shpallur në kërkim në Gjermani, për mungesë siguracioni. Gjithashtu, leja e drejtimit që ky shtetas i paraqiti punonjësve të Policisë, ishte e falsifikuar.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit T. S., për veprat penale “Përdorimi i dokumenteve të falsifikuara” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.
Për këtë shtetas u vendos edhe masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë dhe mungesë siguracioni.
Automjeti tip “Ferrari” u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të respektojnë sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugë e vendit ka radarë📸 dhe prezencë të Policisë Rrugore🚔👮♂, të pajisur edhe me dronë, dragera📟, kamera 📹e aparate fotografike.
Top Channel