Manovra të rrezikshme në rrugë/ Nuk iu bind policisë dhe i kërcënoi me armë, pranga 31-vjeçarit dhe vëllait të tij

28/07/2021 09:34

Drejtonte mjetin në gjendje të dehur, kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë dhe i kanosi ata më pistoletë imituese, pas disa minutash ndjekjeje kapet dhe vihet në pranga 36-vjeçari.

Gjithashtu, vihet në pranga dhe vëllai i tij, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë.

Shërbimet e Policisë Rrugore, në rrugën dytësore Milot-Mamurras, kanë konstatuar një drejtues mjeti që po kryente manovra të rrezikshme dhe nuk kishte vendosur rripin e sigurimit. Pasi shërbimet i kanë bërë shenjë ndalimi, drejtuesi është larguar me shpejtësi duke rrezikuar punonjësit e Policisë.

Pasi janë venë në ndjekje të tij, shërbimet e kanë konstatuar sërish në fshatin Malbardhë, Kurbin, drejtuesin e mjetit, i cili ka kundërshtuar shoqërimin, duke i drejtuar punonjësve të Policisë një armë në dukje zjarri pistoletë dhe me ndihmën e një shtetasi tjetër ka mundur të largohet.

Në ndihmë të Policisë Rrugore kanë shkuar forca e posaçme “Shqiponja”, Forca Operacionale e DVP Lezhë dhe shërbimet e Policisë Kurbin, të cilat falë veprimeve të shpejta kanë arritur të bëjnë identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

-Fation Lika  31 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje, vjedhjes, kundërshtim me dhunë të punonjësit të Policisë dhe Klodian Leka (vëllezër), banues në Kurbin.

Gjatë kontrollit me alkoolmatësin (drager) ka rezultuar se shtetasi F. L. drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë u sekuestrua një pistoletë imituese, me të cilën ky shtetas dyshohet të ketë kanosur punonjësit e Policisë, si dhe 2 automjete.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA