Stuhia e dhunshme e breshrit që goditi disa pjesë të Italisë, shkaktoi radhë të gjata trafiku dhe dëmtimin e disa makinave.
Kokrra breshëri me përmasat e një grushti i shkatërruan automjeteve xhamat e përparmë. Incidenti i pazakontë gati sa nuk solli përplasje masive të makinave në njërën prej autostradave kryesore të vendit, ndërsa shkaktoi kaos e panik mes qytetarëve.
Pamjet e makinave të ndaluara me dëmtime serioze që bllokonin rrugët, u bënë virale në mediat sociale. Stuhia goditi më shumë në pjesën veriore të një rruge që lidh Milanon me Napolin e për shkak të saj, seksioni ndërmjet Parmës dhe Fiorenzuolës u mbyll përkohësisht. Sipas the Guardian disa persona u lënduan kryesisht nga copat e xhamit, por nuk ka raporte për dëmtime serioze. Personat ne zonat më të goditura u paralajmëruan sakaq që deri sa të mbaronte stuhia, të mos dilnin nga shtëpitë.
Ekspertët në Itali kanë nisur të shtrojnë pyetjen përse breshëri kishte këto përmasa këtë radhë. Më shumë se breshër thonë ata, nga qielli duket sikur binin copa të mëdha akulli. Shkencëtarët shprehen se ndonëse jo e drejtpërdrejtë, një lidhje me ndryshimet klimatike ekziston. Pasojat e këtyre ndryshimeve po shihen ngadalë në të gjithë planetin e manifestohen veç të tjerash edhe me intensifikimin e fenomeneve meteorologjike ekstreme, të cilat janë bërë jo vetëm më të dhunshme, por edhe më të shpeshta.
Top Channel