OSBE/ODIHR publikoi raportin final me 36 faqe për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit në Shqipëri, ku thekson se Partia Socialiste e cila ka pushtetin kishte avantazh për shkak të kontrollit të administratave lokale dhe keqpërdorimit të burimeve administrative. Ministrat vazhduan fushatën gjatë angazhimeve zyrtare, ndërsa nga ana tjetër, në mënyrë zyrtare, Presidenti bëri fushatë kundër partisë në pushtet. Ndërkohë për Partinë Demokratike thotë se pati qasje potencialisht të jashtëligjshme me ngritjen e strukturës për mbrojtjen e votës.
Po ashtu vihet re, thotë raporti se pretendimet për blerje votash ishin prezente gjatë fushatës dhe kjo pasoi me një numër të lartë hetimesh. Në një numër të kufizuar të qendrave të votimit dhe numërimeve të vëzhguara, procesi ishte kryesisht transparent dhe i qetë. Praktikat e përhapura të blerjes së votave, siç pretendohet, mbetën një problem.
Një nga pikat e raportit të OSBE/ODIHR është dhe databaza me të dhënat personale të mbi 900 mijë qytetarëve me të dhënat e tyre personale dhe preferencat politike, që cilësohet si një shqetësim serioz që i bëri votuesit të ndiheshin nën presion. Sa i përket fondeve të partive politike për fushatën zgjedhore, në raport thuhet se kandidatët nuk paraqesin transparencë para votuesve.
Në raportin e ODIHR thuhet se gazetarët janë censuruar dhe kanë qenë përballë presionit e korrupsionit, ndërsa nënvizohet se per fat të keq, nuk u organizua asnjë debat televiziv midis udhëheqësve politikë. OSBE/ODIHR ka bërë 23 rekomandime mes të cilave për sistemin ligjor që ka nevojë për rishikim. Shteti duhet të garantojë të drejtën për një zgjedhje të lira dhe të fshehta. Çdo formë presioni për tu zbuluar se si njerëzit kanë votuar duhet të parandalohen, thuhet në dokument.
Agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht blerjen e votës.
Shqipëria duhet të sigurojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve. Institucionet përkatëse duhet të hetojnë dhe sanksionojnë plotësisht çdo shkelje që ndikon në besimin e publikut në procesin e zgjedhjeve.
Legjislacioni duhet të ndryshohet për të siguruar që mediat janë në gjendje të mbulojnë në mënyrë të pavarur aktivitetet e garuesve zgjedhor me synimin që të kufizohet përmbajtja e prodhuar nga partia në lajme. Për të respektuar parimin e mundësive të barabarta, të rishikohet pragu 1% për kandidatët e pavarur, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.
Top Channel