Pesë persona rezultojnë të zhdukur e disa të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të fuqishëm në një park industrial të Leverkusenit në Gjermani, i cili ka bërë që një re gjigande tymi të mbulojnë pjesë të tëra të qytetit.
Banorëve u është kërkuar të mos dalin shtëpitë e tyre derisa gjendja të qetësohet. Ata që jetojnë në afërsi të kompleksit janë këshilluar të mos hapin kondicionerët, pasi ajri jashtë mund të jetë toksik.
Të lënduarit janë kryesisht punonjës të fabrikës; dy prej tyre duket se janë në gjendje kritike për jetën. Paralajmërimi që u mbërriti qytetarëve në telefonët celularë fliste për një “rrezik ekstrem”, thotë agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Firma që menaxhon parkun në fjalë, Currenta konfirmoi ngjarjen e rëndë duke thënë se ka nisur menjëherë verifikimet e saj për të zbardhur dinamikën e ngjarjes e për të parë se çfarë e shkaktoi shpërthimin.
Policia ka mbyllur të gjithë rrugët përreth kompleksit industrial ndërsa në zonë kanë mbërritur skuadra zjarrfikëse dhe ekspertë për matjen e ndotjes mjedisore. Banorët thonë se shpërthimi aq i fortë sa u dëgjua në një distancë mjaft të madhe, dhe bëri që t’u lëkundeshin xhamat e dritareve.
Top Channel