Ministri kosovar i Shëndetësisë, Arben Vitia njoftoi se 26 nga të plagosurit e tragjedisë së autobusit që po trajtoheshin në spitalin e Sllavonski Brod, kanë dalë tashmë, pasi gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar mjaftueshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri sqaroi se po përgatitet kthimi i tyre në Kosovë. 15 qytetarë të tjerë vazhdojnë të mbeten të shtruar; dy janë në kujdes intensiv ndërsa njëri është në gjendje të rëndë. Sipas Vitisë megjithatë, situata e të gjithë të shtruarve është e stabilizuar. Po sot, mbërrijnë në Kosovë edhe trupa e viktimave të fatkeqësisë, pasi një ditë më parë përfundoi procesi i identifikimit.
Shoferit të autobusit nga Kosova, i cili u kthye në shkaktarin e ngjarjes së rëndë pasi, siç thuhet, e zuri gjumi në timon, i është caktuar masa e 30 ditëve paraburgim. Gjykatësi i çështjes, Mille Solldo, argumentoi se paraburgimi u dha për shkak të rrezikut që i dyshuari mund të arratiset.
Ndërkohë, Igor Cisper, avokati mbrojtës i shoferit pretendon se klienti i tij nuk ka thënë asnjëherë se ka qenë në gjumë. “Ai u deklarua vetëm rreth paraburgimit, nuk dha asnjë dëshmi. në asnjë moment, nuk më tha se ishte duke fjetur”, u shpreh avokati.
Top Channel