Pas përfundimit të aplikimeve online për regjistrimet e fëmijëve në shkolla, sot është dita kur prindërit presin përgjigje nëse kërkesa e tyre është pranuar apo jo bazuar te rregulli që fëmija regjistrohet në shkollën më të afërt ku ai banon.

Por numri i aplikimeve përmes e-albania ka qenë i ulët, në të gjithë Shqipërinë pati vetëm 5580 aplikime për klasë të parë dhe 7343 për në klasë të dhjetë në gjimnaz.

Në një reagim zyrtar për Top Channel ministria e arsimit pranon ngërçin e regjistrimeve online ku thekson dy problematika, prindërit nuk e kanë regjistruar fëmijën për shkak se nuk kanë ditur të përdorin sistemin online ose arsyeja e dytë është se prindi nuk e ka regjistruar fëmijën me shpresën se mund ta regjistrojë më vonë në shkollën ku ai preferon.

Por çfarë do të ndodh me fëmijët që ende nuk janë regjistruar? Ministria e arsimit njofton se shkollat disponojnë listat e fëmijëve që duhet të regjistrohen për vitin e ri shkollor dhe do të jenë ata që do të identifikojnë çdo fëmijë që i përket zonës ku ndodhet shkolla.

Pas monitorimit të këtij procesi Ministria e arsimit ka planifikuar vazhdimin e regjistrimit në një fazë të dytë, që do të jetë para fillimit të vitit mësimor, nëpërmjet e-albania ose fizikisht.

Risia e regjistrimit online sipas Drejtorisë së përgjithshme parauniversitare erdhi për shkak të mbipopullimit të një pjese të shkollave në zonat urbane dhe braktisjes së institucioneve arsimore në zonat rurale, një problematikë e hershme kjo thuhet në reagimin për Top Channel që synuan ta shmangnin përmes aplikimit online ku fëmijët regjistrohen nga sistemi automatikisht në shkollën që u përket.

Por kjo nuk u prit mirë në familjet shqiptare, megjithatë ministria e arsimit këshillon prindërit të mos shqetësohen pasi i siguron që asnjë fëmijë nuk do të mbetet pa u regjistruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA