Veliaj prezanton autobusët e gjelbër “Go Green”: Të parët në rajon

24/07/2021 14:25

Bashkia e Tiranës ka prezantuar sot linjën e re të autobusëve hibridë dhe elektrikë në Tiranë.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj tha se 20 autobusët e parë “Go Green” do të futen në qarkullim brenda muajit gusht, ndërsa investimi do të kompletohet gradualisht edhe me 22 mjete të tjera.

E kam pritur me shumë ëndje këtë ditë. Kam përshtypjen se ashtu si unë, e kanë pritur edhe shumë qytetarë që thonë: kur do vijë dita që të kemi transport të gjelbër, që nuk ndot mjedisin, i denjë me hapin që po ndjek qyteti dhe me mënyrën se si po avancon. Sot hedhim një hap të paprecedentë dhe ndoshta jemi të parët në rajonin tonë me një flotë të gjelbër, diçka që kemi premtuar dhe më vjen mirë që e bëjmë realitet”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai ka kërkuar jo vetëm mirëkuptim, por dhe angazhimin e gjithsecilit për të kontribuuar me shembullin e tij për një qytet më të pastër.
Për t’u dhënë një përgjigje atyre që thonë ka shumë trafik: 300 autobusë në Tiranë transportojnë 200 mijë qytetarë, ndërkohë që qyteti ka edhe 200 mijë makina. Imagjinoni pak sikur edhe këto 200 mijë që udhëtojnë me autobusë, të udhëtonin me makina! Atëherë do kishim problem me trafikun. Zgjidhja është shumë e thjeshtë: jep edhe ti kontributin tënd! Për sa kohë që duam të jetojmë në një qytet ku janë mundësitë, shkollat, duam të jetojmë në qytetin më të pasur të Republikës së Shqipërisë, qytetin ku ka art, ku ka kulturë, rrjedhimisht marrim përsipër të dalim në 08:00 të mëngjesit për të shkuar në punë, bashkë me 200 mijë të tjerë. Por është zgjedhje personale që për distanca të vogla, dikush merr vendimin të ecë në këmbë ose të marrë autobusin, apo të përdorë biçikletën. Sot jemi në një situatë që ndotja është bërë temë kryesore. Nuk ishte kështu dikur. Por teksa pamë çfarë ndodh kur ka thatësirë, me përmbytjet, tërmetet, pandeminë, teksa pamë çfarë ndodhi edhe në Gjermani, kjo linjë sot është edhe një lloj paqeje që kemi me natyrën”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë tha se një aktivitet i ngjashëm po ndodh sot edhe në Suedi, ku sapo është futur linja e gjelbër e transportit publik.

Autobusët e rinj ekologjikë vijnë në kuadër të një marrëveshjeje ndërqeveritare të nënshkruar midis Gjermanisë dhe Shqipërisë për financimin e projektit “Transporti i Gjelbër i Tiranës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA