Agjencia Europiane e Barnave (EMA) miratoi sot përdorimin e vaksinës antiCOVID-19 Moderna për 12-17-vjeçarët. Spikevax e kompanisë bioteknologjike amerikane “Moderna” bëhet kështu vaksina e dytë e autorizuar për adoleshentët në Bashkimit Europian.
Administrimi i vaksinës (Moderna) për 12-17-vjeçarët do të jetë i njëjtë me atë te personat 18 vjeç e lart, dy injeksione me katër javë larg njëri-tjetrit.
“Komiteti i EMA-s për Produkte Medicinale për Përdorim Njerëzor (CHMP) ka rekomanduar zgjerimin e përdorimit për vaksinën antiCOVID-19 Spikevax (Moderna) për fëmijët e moshës 12 deri në 17 vjeç”, njoftoi rregullatori europian. Efektet e kësaj vaksine u studiuan në një hulumtim, që përfshiu 3 732 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç.
Përfundimet treguan se vaksina prodhoi në moshat 12-17 vjeç një përgjigje antitrupash të krahasueshme me atë që është vënë re te të rriturit e moshës 18-25 vjeç. Adoleshentët zakonisht zhvillojnë forma më pak të rënda të COVID-19, sesa më të rriturit, por nuk janë të imunizuar ndaj infeksionit, duke luajtur kështu rol në transmetimin e virusit brenda popullatës.
Top Channel