Të shtunën, ekipe zjarrfikësish nga Kalifornia dhe shteti Juta (Utah) mbërritën në Montana, për të menaxhuar situatën e vështirë të krijuar nga zjarret, ndërsa pjesa perëndimore e vendit po lufton me një seri vatrash zjarri që kanë shkatërruar toka e shtëpi.
Pesë zjarrfikës u plagosën të enjten në qytetin rural Xhordan. Ata ndodhen aktualisht në spital, por zëdhënësi i Byrosë së Menaxhimit të Tokës Mark Jacobsen nuk dha informacione rreth gjendjes së tyre shëndetësore.
Autoritetet njoftuan se ishte bërë përparim për të përmbajtur një vatër të madhe zjarri në ahtetin Oregon, megjithatë më pak se gjysma e tij ishte vënë nën kontroll. Rritja e sipërfaqes që digjet po ngadalësohet në disa zona, por sipas autoriteteve mijëra shtëpi vazhdojnë të jenë nën kërcënimin e flakëve në pjesën lindore.
Në Kaliforni, guvernatori Gavin Newsom shpalli të premten gjendjen e jashtëzakonshme për katër qarqe në pjesën veriore të shtetit. Ai tha se zjarret në këtë zonë po shkaktonin “rrezik ekstrem për sigurinë e njerëzve dhe pronave”. Në shtetin e Uashingtonit, zjarrfikësit po vazhdojnë të luftojnë me vatrat zjarri në qytetin e Okanoganit, të cilat po kërcënojnë qindra shtëpi.
Më shumë se 80 vatra zjarri të mëdha po digjeshin në të gjithë vendin, shumica e tyre në shtetet perëndimore, të cilat kanë shkatërruar rreth 1.4 milionë hektarë tokë.
Top Channel