Dy ditë pas protestave në shumë qytete të Greqisë nga kundërshtarët e vaksinimeve, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një takim me presidenten e vendit u është përgjigjur të gjithë atyre që sjellin si argument liritë dhe të drejtat personale për të mos u vaksinuar, duke lexuar nenin 5 të Kushtetutës së vendit.
“Në Kushtetutën tonë ne parashikojmë që Shteti ka të drejtë të kërkojë nga të gjithë qytetarët përmbushjen e detyrës së solidaritetit shoqëror dhe kombëtar. Unë mendoj se ky nen është më i rëndësishëm sot se kurrë. Kjo është ajo që ne kërkojmë nga bashkëqytetarët tanë. Detyrën e solidaritetit shoqëror dhe kombëtar”, tha Mitsotakis.
Në një moment kur numri i të vaksinuarve plotësisht në gjithë vendin ka mbetur ende nën 5 milion banorë, dhe janë mbi 3.7 milon të pavaksinuar, edhe presidentja e Greqisë, Katerina Sakelaropoulou u ka bërë thirrje qytetareve të vendit të vaksinohen.
“Zgjidhja e vetme e sigurt është vaksinimi. Kushtetuta nuk i njeh askujt të drejtën, brenda kornizës së lirisë së tij, të rrezikojë jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Sepse Kushtetuta, nuk i njeh këto të drejta vetëm sepse ne jemi individualisht bartës të vlerës njerëzore, diçka e cila është e vërtetë, por gjithashtu i njeh ato sepse jemi pjesë e shoqërisë në tërësi”, u shpreh Sakelaropoulou.
Ndërkohë, në parlament u aprovua me shumicë votash vaksinimi i detyruar i punonjësve në disa sektorë privatë dhe shtetërorë dhe mendohet për zgjerimin e listës së tyre. Gjithashtu, ministrja e Arsimit u ka bërë thirrje orët e fundit, personelit pedagogjik, studentëve dhe nxënësve mbi moshën 15 vjeç, të vaksinohen në mënyrë që të fillojë një vit i ri shkollor, me paraqitjen e tyre në klasa.
Gjithashtu ministri i Shëndetësisë u ka premtuar mesditen e së premtes stimuj të rinj mjekëve dhe farmacistëve për të bindur sa më shumë qytetarë që të vaksinohen.
Konkretisht, farmacistët dhe mjekët do të kreditohen me 10 euro në llogarinë e tyre kur të mbyllin një takim për një vaksinim, mjekët do të marrin tashmë 20 euro nëse vaksinojnë një qytetar në klinikat e tyre private dhe 50 euro nëse do të vaksinojnë në shtëpi pacientët qe nuk mund të lëvizin.
Top Channel