Një shtetas shqiptar, banues në Itali është vënë nën prangat e policisë, pasi u kap me një shumë të majme parash të padeklaruara, teksa po kalonte në pikën kufitare të Muriqanit.

Policia deklaron se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një qytetar që posedonte një shumë të madhe parash dhe tentonte për t’i futur në mënyrë të kundërligjshme organizuan punën dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare të Muriqanit zbuluan shumën prej 494.785 euro.

56-vjeçari po udhëtonte nga Italia drejt Shqipërisë në rrugë tokësore, ndërkohë që sasinë e madhe të parave e kishte fshehur në mjetin e tij.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte një shumë të madhe parash dhe tentonte për t’i futur në mënyrë të kundërligjshme nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Muriqan, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë Kufitare të Muriqanit, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Muriqani”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi R. R., 56 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Ancona, Itali, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në mjet, 494.785 euro, të cilat shtetasi R. R. nuk i kishte deklaruar.

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. R., për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.”, njofton policia.

Nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA